Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg për Qazim Ismailajn, i cili akuzohet për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit nga emigrantët sirianë. 32-vjeçari nga fshati Trevllazër dyshohet se ka strehuar në banesën e tij sirianë, të cilët e përdornin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së me destinacion final. Ai është identifikuar pas dëshmive të sirianëve, raporton gazetari i “ABC” Elton Nikaj.
Seanca është zhvilluar këtë mëngjes në gjykatën e Vlorës me dyer të mbyllura. 32-vjecari nuk ka deklaruar asgjë në sallën e gjyqit, veç përgjigjeve që ka dhënë pas pyetjeve mbi identitetin e tij.
Ndërkohë avokati ka kërkuar masë më të lehtësuar, arrest në shtëpi ose detyrim paraqitje duke e lidhur me faktin se është familjar dhe ka dy fëmijë të vegjël, por gjykata nuk e ka marrë në konsideratë këtë kërkesë.
Ismailaj i arrestuar në 15 janar së bashku me Fatos Dushën janë prangosur në lidhje me rastin që u zbulua në datë 8 janar, ku një gomone me 50 sirianë, mes tyre gra dhe fëmijë u rreziku në mes të detit.
Sirianët pasi ishin fshehur në Vlorë, të ndihmuar nga personat e arrestuar dhe të tjerë po tentonin që të kalonin me gomone në Itali, por kushtet e motit e vështirësuan situatën duke bërë që të kërkojnë ndihmë pasi rrezikuan mbytjen./db/Abcnews.al