Ka lënë qelinë e burgut të Fushe-Krujës anëtari i bandës së Durrësit Endrit Dokle. Vendimi është dhënë nga gjykata e Krujës. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka vendosur lirimin me kusht te Endrit Dokles, duke pranuar kërkesën e avokatëve të tij.
Më herët, e njejta gjyqtare kishte qenë pjesë e trupës gjykuese që kishte rrëzuar burgimin e përjetshëm për anëtarin e bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke e dënuar atë me 25 vite burg. Gjykata argumenton se Dokle lirohet pasi ka kryer ¾ e dënimit, ka pasur sjellje të mirë në burg, ka arsye shëndetësore si dhe disa rrethana të tjera specifike, që mbeten për t’u sqaruar. Sipas vendimit të gjykatës Dokle, është në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh dhe gjatë kësaj periudhe I kerkohet të mos shoqërohet me persona të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Gjithashtu gjatë 5 viteve të provës duhet të mos mbajë apo përdorë armë. Prokuroria e Krujes njoftoi zyrtarisht se do ta apelojë vendimin e dhënë nga gjykata. Sipas saj, nuk plotësohen kushtet ligjore të lirimit me kusht, si dhe nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta.
Prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit. Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, ishte akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe te Durresit. Disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. E ashtuquajtura “Banda kriminale”, me drejtues Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun vepronte prej vitit 1994 në Durrës./abcnews.al