Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e përberë me trupe gjyqësore Besmir Stroka, ditën e sotme ka pranuar kërkesën e mbrojtësve Av. Arbër Hoxha dhe Av. Sokol Tahiraj, duke shuar masat e sigurimit “arrest në burg” për disa prej të hetuarve të “Grupit Bajri”.
Kështu Gjykata ka shuar masën “arrest në burg” për Safet Bajrin, duke urdhëruar qëndrimin në burg, vetëm për Vendimin Penal të formës së prerë, të ardhur nga Belgjika.
Ndërkohë lirohen nga ambientet e paraburgimit edhe Ismet Idrizi, Asmer Bilali dhe Samet Halluni.
Po ashtu janë zgjatur afatet e paraburgimit për Behar Bajrin dhe Ilir Bajrin.
Gjithashtu masa e sigurimit është zëvendësuar edhe për Emrah Plakun dhe Jorida Muratin, nga “arrest shtëpie” në “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore.
4 nga anëtarët e grupit Bajri u arrestuan në kuadër të operacionit “Oaz”, ndërsa u akuzuan për gjobvënie dhe punësim në OSHEE e spitale.
Sipas hetimeve, anëtarë të grupit Bajri u akuzuan se në bashkëpunimin me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëpërmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy personave por Behar dhe Safet Bajri i cilësuan sajesa akuzat ndaj tyre.
Lexo edhe: Gjykata e Posaçme rrëzon akuzën kryesore për grupin “Bajri” dhe e dërgon në Shkodër
Por cili është “i forti” i Shkodrës i arrestuar në Belgjikë?
Safet Bajri akuzohet për trafik droge e prostitucion nga nga Gjykata e Brukselit. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim.
Ndërkaq në Shqipëri, Safet Bajri u akuzua për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh.
LEXO edhe : Gjykata e Posaçme rrëzon akuzën kryesore për grupin “Bajri” dhe e dërgon në Shkodër
Bajrit i janë sekuestruar një sërë pronash në Shqipëri.
Safet Bajri u arrestua në 21 shtator të vitit 2018 nga Forcat Operacionale të Policisë së Tiranës.
Ai u ndalua në ambientet e një magazine në zonën e “Xhamllikut”, në kryeqytet, ndërsa burimet thanë se mbante edhe një armë pa leje.
Arrestimi i 34-vjeçarit u krye në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që prej 2017, pas dyshimeve për përfshirjen e tij apo drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.
Nga ana tjetër, ai figuronte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale, që përpiqej të kontrollonte trafikun e drogës në Bruksel./abcnews.al