Lirohen 40 mijë metra katrorë plazh në 10 ditë, 12 zyrtarë të proceduar

schedule15:15 - 11 Gusht, 2019

schedule 15:15 - 11 Gusht, 2019

Në 10 ditët e para të gushtit iu rikhyen qytetarëve rreth 41 mijë m2 plazhe publike në të gjithë vendin. Aksione policore nen emrin  “Plazhi i Lirë” u zhvilluan për lirimin  e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme nga Veriu në Jug përgjatë gjithë vijës bregdetare e liqenore, por gjithashtu në fokus ka qenë edhe ndëshkimi i informalitetit.

Ata që e kanë pësuar më keq për shkak të moszbatimit te ligji janë pronarët e subjekteve që kishin ngritur aktivitetin e tyre pa kasë fiskale dhe pa lejen nga Bashkitë përkatëse.

Në total u dërguan për ndjekje penale 61 pronare subjektesh, të cilëve iu sekuestruan gjithashtu malli si çadrat dhe shezlonget e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, edhe funksionarë vendor apo punonjës te tatim-taksave janë dërguar për ndjekje penale në prokurori. Gjithsej 12 zyrtarë po hetohen “për shpërdorim detyre”.

Në procedim penal është edhe nënkryetari i Bashkisë së Sarandës, i cili  nuk ka ekzekutuar vendimin administrativ të kryetarit të Bashkisë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil që shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga një subjekt tregtar.

Operacioni më i suksesshëm për lirimin e plazheve ka qenë ai i datës 5 gusht, ku operacioni i shtrirë në Ksamil, Himarë, Vlorë e Divjakë, ne total iu riktheu pushuesve rreth 10 mijë m2 hapësirë të zaptuar në kundërshtim me ligjin.

Përveç policive vendore, në aksion kanë marr pjesë edhe  Forcat e Ndërhyrës së Shpejte dhe Drejtoria e Hetimit  të Krimit Ekonomik. Në fokus të uniformave blu kanë qene edhe evazioni fiskal në turizëm, ndërtimet pa leje dhe krime të tjera mjedisore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!