Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka filluar prej muajit qershor, por në rreth 2 muaj, disa nuk janë bindur ende.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje të reja nga aksioni i lirimit, ndërsa shton se disa zaptues, nuk i janë përgjigjur ende çmontimit vullnetar, me idenë se qeveria do të ndalë aksionin.
Ai i paralajmëron sërish, se kush nuk liron hapësirën e zaptuar, do u lirohet me forcë bashkë menjë gjobë pas. Kurse pas kësaj, fillon rehabilitimi i këtyre hapësirave.
“Disa e vonojnë çmontimin vullnetar me idenë e gabuar se “aksioni do mbarojë”, por ky nuk është një aksion, është një program katërvjeçar që quhet Rilindja Urbane 2.0 dhe ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare. Kush nuk e liron më mirë vetë hapësirën që ka zënë, në fund do ta lirojë bashkë me një gjobë.”
Ndërkohë, vetë qytetarët duken më të interesuarit për këtë aksion. Në portalin Hapësira Ime Publike, janë plot 4662 denoncime të zënies së hapësirave publike në vetëm 5 ditë.
Nga të cilat, 588 raste kanë marrë zgjidhje, kurse 4074 janë ende në proces./abcnews.al

