Lirimi i Endrit Dokles, avokati Isuf Shehu: Të hetohet transferimi nga burgu i Peqinit në Fushë-krujë

schedule19:01 - 23 Janar, 2020

schedule 19:01 - 23 Janar, 2020

Lirimi me kusht i Endrit Dokles nga Gjykata e Krujës, shkaktoi një  reagim të ashpër nga prokuroria pranë kësaj gjykate, që me ane të një njoftimi zyrtar, u shpreh e do të bënte ankimin të vendimit.

Ndërsa  Ministria e Drejtësisë kërkoi, që të merren masa për gjyqtaren Enkeleda Hoxha.

Isuf Shehu, ekspert i çështjeve ligjore, sqaron se duhet që të saktësohen vitet e dënimit të Endrit Dokles, nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal, ku ai ka vuajtur dënimin.

“Diskutimi më i  madh lidhet ngushtësisht, mendoj unë, ku duhet përqendruar vëmendja, është tek dinamika e lëshuar nga institucioni i vuajtjes së dënimit, pra nga burgu ku ai ka qenë. Duhet parë në detaje se çfarë ka përcaktuar institucioni i vuajtjes së dënimit, në lidhje me vitet e burgut që ky person ka vuajtur”, tha Shehu.

Avokati Isuf Shehu sqaron se për lëvizjen e Endrit Dokles, nga një burg i sigurisë së lartë, në një burg të sigurisë së zakonshme, avokati tha se Ministria e Drejtësisë duhet ta hetojë si rast.

“Duhet të hetohet nëse zbatimi i legjislacionit në lidhje me vuajtjen e dënimit, dhe ekzekutimi i vendimeve penale, rregullores së institucioneve, se si është aplikuar ligji. Dhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, duhet të investigohet në detaje, pse ka ndodhur ky lloj ndryshimi. Normalisht, në përgjithësi vuajtja e dënimeve të personave me një rrezikshmëri të lartë, rrezikshmëria diktohet nga vepra që ka kryer, detyrimisht duhet të ishte duke vuajtur dënimin në një burg të sigurisë së lartë”, deklaroi Shehu.

Avokati sqaron se ulje të dënimit me ¾ , nuk përfiton një person me burgim të përjetshëm por vetëm, ata të dënuar që kanë vite burimi të përcaktuara.

“Aplikimi i ¾, 2/3, apo ½  lidhen ngushtësisht, me rastet e diktuara në nenin 64 të Kodit Penal, që bën fjalë për lirimin përpara kohe, me kusht, të atyre personave që janë dënuar me burgim, pra me vite të përcaktuara të vuajtjes së dënimit. Në rastin e të dënuarve me burgim të përjetshëm, nuk zbatohet kjo lloj dispozite, por neni 65 i ndryshuar i Kodit Penal, i cili përcakton kritere, që janë arsyet e veçanta të subjektit, rrethanat, sjellja e mirë, por detyrimisht afati. Deri dje ishte 25 vjet, sot është 35 vjet, i vuajtjes së dënimit me burgim”, tha avokati.

Ndërsa lirimin me kusht te personave të dënuar me burgim të përjetshëm e garanton Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

“Ne kemi parasysh në të njëjtën kohë që lirimi me kusht është një garanci e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për një moscënim, për mospasjen e një dënimi degradues, apo të torturës, pra të tilla interpretime ka bërë Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Madje në një rast kundër Britanisë, e ka konsideruar të drejtën e lirimit me kusht, pas periudhës 35 vjeçare, për të dënuarin me burgim të përjetshëm, si degraduese, si çnjerëzore, por lirimi me kusht është një institut i cili njihet dhe pranohet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, njihet dhe pranohet nga legjislacioni shqiptar, dhe për pasojë duhet të garantohet”, tha Shehu.

Gjatë kësaj bisede, avokati Shehu sqaron se përse dështoi ekstradimi nga Hollanda i Arben Frrokut.

“Ndër rastet më të bujshme, është dështimi i ekstradimit të Arben Frrokut, nga Hollanda. Shkak i vetëm, ishte fakti, që thjesht ne “de facto” nuk i garantojmë të dënuarve tanë me burgim të përjetshëm, lirimin me kusht”, sqaroi avokati Isuf Shehu.

Ndërsa për rehabilitimin dhe integrimin në shoqëri të personave që kanë qenë të burgosur, sipas avokatit, duhet që të punohet më shumë nga ana e institucioneve përgjegjëse, që trajtojnë këto raste./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!