“Lirimi i Berishës, politikë penale”, Leka: Opozita dhe maxhoranca, në pozita të barabarta për zgjedhje. Ramës s’do t’i pëlqente një fitore si e Pirros

schedule19:36 - 27 Nëntor, 2024

schedule 19:36 - 27 Nëntor, 2024

Analisti Martin Leka thotë se vendimi i GJKKO për të liruar Sali Berishën nga arresti shtëpiak ishte një “politikë penale”. Në një intervistë për ABC News me gazetarin Emilian Islami, Leka tha se lirimi i Berishës e vendos opozitën dhe maxhorancën në pozita të barabarta në zgjedhjet e 2025.

“Gjykata ka bërë më shumë politike penale sesa ka dhënë vendim gjyqësor pasi edhe pas këtij vendimi, SPAK ka bërë rekurs në gjykatë kështu që mendoj që në të gjithë botën ndodh kjo. Edhe politikat penale janë pjesë e së tërës në gjykimin e fundit. Kështu që përtej kësaj politike penale, sot mendoj që është marrë nga pikëpamja e analizës politike, është marrë vendim i drejtë pasi zgjedhjet janë afër. Kemi mazhorancë që kërkon mandatin e katërt ndërkohë që kemi një opozitë të “çekuilibruar”, ku është e përçarë, në disa grupime dhe për hir të së vërtetës shkaktari kryesor është ai që u lirua sot nga arresti shtëpiak. Nga ana tjetër, kemi ish presidentin Meta në arrest me burg dhe nëse zgjedhjet janë në maj, i bie 5 muaj përpara të kemi një mazhoranca që kërkon mandatin e katërt dhe dy liderët e opozitës dhe në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar kjo i vendos në pozita të pabarabarta dhe e bën të cenueshme procesin elektoral“, u shpreh Leka.

Sipas tij, edhe kryeministrit Edi Rama nuk do t’i pëlqente një fitore si e Pirros.

“Ramës nuk do t’i pëlqente një fitore si e Pirros dhe në këtë politikë penale të gjykatës ia vlen se thjesht e ka liruar nga arresti shtëpiak, por nuk e ka çliruar nga akuzat dhe çështjet që ka. Unë mendoj se Berisha luftën e parë e ka me trashëgiminë e vet politike, të ndarë në dy pjesë. E para, para vitit 1990, kur ai ishte anëtar i Partisë së Punës, udhëheqës ndonëse i vogël në një nga spitalet e Tiranës por kjo mund të mbetej në hije nëse kemi parasysh trashëgiminë e berishizmit në kohën e demokracisë për 33 vjet. Nuk jam nga ata që mendoj se Berisha nuk ka bërë gjëra të mira në këtë vend. Për të gjithë figurën e vet politike ka pasur merita në disa nga ngjarjet kryesore të vendit, por nuk dua ta them në zhargon, por ka bërë shumë gabime të cilave u ka vënë fshesën dhe atyre gjërave që ka bërë mirë në këtë vend”, shtoi Leka./abcnews.al