Në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse besimtarët e dy kishave rivale në Malin e Zi festuan të hënën në një klimë tensionesh, të përshkallëzuara si pasojë e miratimit të një ligji në Parlamentin malazez, që ka shkaktuar tensione me Serbinë.
Dy grupet e besimtarëve u mblodhën në Cetinje, ish-kryeqyteti mbretëror i vendit të vogël ballkanik, me rastin e ritit të “badnjak”-ut, gjatë të cilit digjen degë lisi. Forca të shumta policore u vendosën midis dy grupeve disa qindra metra larg njëri-tjetrit. Sipas policisë, rreth 800 besimtarë të Kishës Ortodokse serbe, institucioni fetar kryesor i këtij vendi prej 620 000 banorësh, u mblodhën para Manastirit të Cetinje-s. Gati 400 përkrahës të Kishës së vogël të Malit të Zi, e panjohur nga bota ortodokse, festuan para kështjellës së Nikolasit I, mbretit të fundit të Malit të Zi të pavarur. Rivaliteti i tyre zgjat prej dekadash, por tensionet u përshkallëzuan më tej me miratimin në fund të dhjetorit të ligjit për lirinë e fesë./abcnews.al

