Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të transformohet në një eksportuese neto e energjisë elektrike.
Në programin e politikave prioritare të miratuar së fundmi qeveria ka parashikuar një sërë projektesh të rëndësishme në këtë drejtim.
Në tre vitet e ardhshme planifikohet që të nisë ndërtimi i një linje të re interkonjeksioni me Italinë. Linja e interkonjeksionit për transmetimin e energjisë midis dy vendeve do të jetë nënujore do të nisë nga Vlora dhe do të ketë pikën e daljes në Brindisi.
Po ashtu parashikohet që në vend të ndërtohet një central i cili do të përdoret për të rezervuar energjinë që prodhohet me shumicë gjatë sezonit të reshjeve.
Kjo energji do të përdoret më pas në periudhën e verës kur mungojnë reshjet e shiut dhe prodhimi është i vogël. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës është një tjetër projekt i rëndësishëm për sektorin energjetik në vend dhe kap një vlerë prej 800 milionë e 50 mijë eurosh.
Prodhimi i energjisë nëpërmjet paneleve fotovoltaike është një tjetër pikë e rëndësishme në projektet që parashikohen për vitet në vijim.
Edhe projektet që lidhen me transmetimin apo depozitimin e gazit zënë një peshë të rëndësishme në projektet që pritet të zbatohen në vitet në vijim.
PROJEKTE PER ENERGJINE PER PERIUDHEN 2025-2027
Linjë interkonjeksioni nënujore Vlorë-Brindisi – 310 milionë euro
Central për rezervim te energjisë – 120 milionë euro
Dixhitalizim i Kaskadës së Drinit – 80 milionë euro
Zgjerim i nënstacionit të Fierzës – 35 milionë euro
Zgjerimi i nënstacionit Tirana 1 – 17 milionë euro