Në një intervistë në “Tirana Live” në ABC, analisti Arben Meçe foli për situatën politike në Partinë Demokratike, përçarjen dhe ndarjen në fraksione. Gjithashtu ai u ndal edhe tek masa e vendosur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin tha se tashmë situata është kthyer në qesharake.
“Berisha lëvizi për të ristabilizuar diçka brenda PD, por kriza vazhdon të mbetet brenda kësaj partie. Gjithë ai shoë i madh që u bë vërtetoi se ishte i organizuar. Në atë periudhë kanë qenë palë që u ndeshën me njëra-tjetrën. Pati ndarje në dy grupime, njëri pro Berishës dhe njëri pro Bashës. Pas dy vitesh pjesa dërmuese e grupit që u ekspozua si pro Bashës dhe anti-Berishë që arritën deri në betejë me hunj dhe sot janë bërë protagonistë kryesore, pro Berishës. Pra për ata njerëz vë në diskutim rolin që ata kanë pasur në atë periudhë. Në këtë moment që flasim janë prodhuar shumë situata në politikë, pati dy fraksione të ndara. Sot linja properëndimore në këtë moment që flasim është në gjumë”, u shpreh Meçe.
Gjatë kësaj interviste ai theksoi se fraksioni i Berishës është thuajse inekzistent.
“Rikthimi i Bashës, nuk tregoi asgjë. Nga ana tjetër sot fraksioni Berishës është gati inekzistent. Në këtë situata që gati-gati është qesharake, në këtë periudhë krahu tjetër hesht”, tha Meçe.
Ndër të tjera shtoi se Partia Demokratike sot, po i shërben vetëm ish-kryeministrit.
“Ky lider i opozitës si një person i shpallur non grata, a meriton të jetë lideri i opozitës? Basha po tregon që në gjithë lëvizjen e tij nuk ka qenë Basha, por ka qenë Berisha që i dha këtë detyrë. Pra po tregon që ka qenë vetëm një manekin në duart e Berishës. Nëse do të kishte një aksion real kundër Berishizmit që i ka marrë shpirtin PD, mund të kishte besim tek Basha. Por ai grupim nuk po gjen forcën që të vijë në një strukturë të shkëputur nga Berisha. Ndarja u bë sepse opozita kishte vdekur. Por pas dy vitesh kur u bë përplasja e madhe ne po e shohim që opozita ka ikur në fund. Sa për Argita Berishën, ajo ishte shumë e qartë. Basha nuk po merr kurajën, dhe nuk ka për të pasur asnjëherë kurajën sepse funksionon si i dytë. Përjashtimi që Basha i bëri Berishës ishte ajo katapultë që e rifuti Berishën në politikë. Më rezulton që ai përjashtim që i bëri Basha, ka qenë thjesht për të krijuar një ambient për t’i futur në politikë. Në 2 vite e gjysmë Berisha ka luftuar për të marrë statusin e liderit. Berisha si ujk që di t’i përgatitë skemat, përgatiti edhe këtë dalje të tij”, shtoi ai.
/abcnews.al/