Lind bebja “gjigande”/ Tiranë, djali me peshë 6.1 kilogramë është i shëndetshëm

schedule15:27 - 9 Korrik, 2024

schedule 15:27 - 9 Korrik, 2024

Ka peshën e një foshnje 3- muajshe,  por sapo ka ardhur në jetë. Bebja gjashtë kilogram e 150 gramë  dhe rreth  58 cm e gjatë  lindi në Spitalin Universitar Obstetrik  Gjinekologjik  “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë duke surprizuar jo vetëm prindërit,  por dhe ekipin e mjekëve.

Gjatë viteve të punës në maternitet infermierja për të porsalindur  Albina Vishka nuk kishe parë rast të tillë.

“Ishte hera e parë që  rastis të lindë një beb me peshë kaq të madh.

Sa vjet punë ke në maternitet?

Unë kam 24.  Para këtij bebi ka qënë  5 e 400 – 5 e 600, por jo 6 kg e 150 gr.”

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ky është bebi me peshën më të madhe në dhjetë vitet e fundit. Është djalë dhe  e ëma  32 vjeçe nga Tirana e solli në jetë në mënyrë natyrale pas tre vajzave.

“Ka qenë një surprizë për të gjithë ne. Është një nga ato rastet ku natyra i bën një dredhi shkencës. Ne jemi mësuar që ti ndjekim pacientët me shumë kujdes,  në drejtim të parandalimit të makrosomisë që është pesha e madhe e bebit  në lindje, zakonisht është e lidhur me diabetin  në  shtatëzani. Në rastin në fjalë nuk ishte  paciente diabetike, erdhi në moment të fundit për lindje aq sa nuk kishte kohë të vlerësohej për mundësinë  e operacionit apo ndërhyrjes cezariane dhe  duke u vlerësuar për mundësinë e një peshe shumë të madhe mobilizoi të gjithë stafin që ishte në turn në spital atë ditë dhe ju dha trajtimi maksimal duke parandaluar komplikacionet.”

Si nëna dhe bebja sipas mjekëve gëzojnë shëndet të plotë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!