Ligji ia ndalon, Kurti flet sërish për kryesimin e listës së Vetëvendosjes në zgjedhje

schedule12:39 - 21 Janar, 2021

schedule 12:39 - 21 Janar, 2021

Kreu i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur sot për vendimin e KQZ-së që ai të mos jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas Kurtit, ai është bartës i listës, dhe tha se “respekton dhe përfill Kushtetutën”.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti pati qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell për një darkë me ish-presidentin, por ai është vit i kaluar. Mendoj që institucionet e shtetit duhet të azhurnohen në rrethana të reja, ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Unë jam bartës i listës, i cili respekton dhe përfill Kushtetutën dhe ligjet që mbrojnë të drejtat e gjithsecilit prej nesh”, tha ai, shkruan Zeri.info.

Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka ndaluar Albin Kurtit dhe 46 kandidatëve të tjerë të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo për faktin se Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa në shtator të po atij viti Apeli ia vërtetoi dënimin e njëjtë.

KQZ ka verifikuar të gjithë emrat dhe janë 47 kandidatë nga rreth 1 081, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.