“Ligji i luftës me Greqinë, paradoks juridik dhe historik”, Idrizi: Projekt deklarata i adresohet edhe parlamentit grek

schedule20:20 - 9 Korrik, 2024

schedule 20:20 - 9 Korrik, 2024

Maxhoranca dhe opozita mbështetën deputetët e PDIU-së, që të enjten e shkuar publikuan një draft deklaratë, ku kërkohet heqja e ligjit të luftës me Greqinë. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla tha se me këtë deklaratë i adresohen parlamentit grek.

Ai e cilësoi ligjin si një paradoks juridik dhe historik ndërsa përmendi se edhe vetë Greqia ka shprehur angazhimin për ta hequr, por që deri më tani nuk ka marrë në konsideratë asnjë veprim.

“Nuk do ta quaj një detyrim sepse kemi pasur mirëkuptimin e kolegëve. Me këtë deklaratë, ne kërkojmë që të theksojmë nevojën dhe angazhimin që ky paradoks juridik, i bazuar mbi një historik, të gjejë zgjidhje pas 84 vitesh dhe është shprehje e vullnetit të parlamentit të Shqipërisë për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe për t’u angazhuar parlamenti shqiptar në nxitjen e zgjidhjes së një ndër problemeve më të mëdha që kemi midis dy vendeve.  Parlamenti mban qëndrime politike nëpërmjet rezolutave dhe deklaratave. Dhënia fund dhe shprehja e vullnetit pozitiv nga ana e parlamentit për t’i dhënë fund një absurdi juridik shprehet nëpërmjet kësaj deklarate. Pse jo rezolute dhe deklaratë? E kemi një rezolutë për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Një rezolutë mund të ngarkojë vetë institucionet e brendshme kurse një deklaratë si kjo, përtej detyrave për nxitjen dhe informimin e parlamentit, ne i adresohemi edhe atij grek me një ftesë që të angazhohet në zgjidhjen e këtij problemi.

Pse ka qenë e nevojshme të ndërhynim nëpërmjet këtij mekanizmi? Është vlerësuar në deklaratë se jemi vende miq, kemi mbështetur njëri tjetrin në periudha historike, kemi një traktat miqësie, jemi të dy anëtarë të NATO-s por mbajtja e ligjit të luftës, ndryshe nga korpusi i parë i marrëdhënie miqësore, mbajtja në këmbë e ligjit të luftës shkon në frymë të kundërt. Akoma më shumë që nëse i referohemi disa momenteve, shkresën e ministrisë së Jashtme të ’99 ndaj ambasadës tonë në Athinë, e cila thoshte që për çështje të tilla, ligji i luftës është në fuqi. Përtej kësaj, ky është realitet i pranuar edhe nga vetë qeveria greke, madje mund të citoj Kocias që e quajti një budallallëk historik dhe duhet të angazhohemi për heqjen e saj. Ne kemi herë pas here deklarime se do të hiqet sot apo nesër. Deklarimet e Dendias me 20 tetor 2020 që e quan ligjin një anakronizëm historik dhe shprehte angazhimin e qeverisë greke për ta hequr. Po në 2022 thoshte se kemi filluar tratativat për ta zgjidhur këtë çështje por ndërkohë kanë kaluar kaq shumë vjet, edhe nga deklarimet e fundit të ministrisë të Jashtme të Greqisë  s’ka asnjë avancim dhe sa herë krijohen probleme midis Shqipërisë dhe Greqisë, kujtohet se po bëhet fjalë për një paradoks të madh juridik që bazohet në një paradoks historik se ne jemi në gjendje lufte dhe në disa ligje të tjera që janë rrjedhojë e ligjit të luftës dhe që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë.“, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!