Kryeministri britanik Rishi Sunak, vetë një fëmijë i emigrantëve indianë, pritet të miratojë ligjin më të ashpër të kontrollit të imigracionit që Britania e Madhe ka miratuar ndonjëherë.
Ndër pikat kryesore të ligjit është deportimi i menjëhershëm i emigrantëve të paligjshëm në Ruanda. Parlamenti britanik miratoi ligjin e diskutueshëm të imigracionit, i cili mohon të drejtën për të kërkuar azil në Britani nga emigrantët që hyjnë ilegalisht në vend, dhe OKB-ja tha se ligji ishte kundër ligjit ndërkombëtar.
Ligji i ri synon të dekurajojë emigrantët që të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas qeverisë. Emigrantët që mbërrijnë ilegalisht në tokën britanike nuk do të mund të kërkojnë më azil në vend sipas ligjit të ri.
Qeveria gjithashtu dëshiron që emigrantët e paligjshëm pasi të burgosen të kthehen në vendet e tyre të origjinës, ose në një vend të tretë, siç është Ruanda.
Ligji i miratuar nga Parlamenti Britanik është në kundërshtim me detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar ndaj ligjit ndërkombëtar për sa i përket të drejtave të njeriut dhe refugjatëve, deklaruan në deklaratën e tyre të përbashkët krerët e dy organizatave kompetente të Kombeve të Bashkuara, Volker Turk dhe Filippo Grandi.
Ligji shihet si vendimtar për kryeministrin Rishi Sunak, i cili e ka bërë trajtimin e imigracionit të paligjshëm një prioritet për qeverinë e tij dhe ka premtuar të ndalojë mbërritjen me anije të emigrantëve nga Kanali Anglez.
Në vitin 2022, më shumë se 45,000 migrantë mbërritën në brigjet angleze, një numër rekord. Më shumë se 13,000 kanë mbërritur në këtë mënyrë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2023.
Londra nënshkroi një marrëveshje me Ruandën vitin e kaluar, por deri më tani nuk ka pasur deportime. Një fluturim i parë i planifikuar për në qershor 2022 nuk u zhvillua pas një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Qeveria britanike po kërkon gjithashtu deportimin e shpejtë të emigrantëve në paraburgim, qoftë në vendet e tyre të origjinës ose në vende të treta si Ruanda. Në fund të qershorit, gjyqësori britanik e shpalli të paligjshëm projektligjin, por qeveria njoftoi menjëherë një apel kundër vendimit.
Projektligji i emigracionit u bllokua për muaj të tërë në parlamentin britanik dhe Dhoma e Lordëve kërkoi një sërë ndryshimesh, kryesisht kufizime kohore për ndalimin e fëmijëve, masa mbrojtëse kundër skllavërisë moderne.
/abcnews.al