“Ligjet” kalojnë kandidaturën e Bajram Begajt për votim në Kuvend, reagon PD: Bajram Begaj zgjedhje personale e Edi Ramës

schedule17:20 - 4 Qershor, 2022

schedule 17:20 - 4 Qershor, 2022

Pasi Komisioni i Ligjeve i tha “Ok” kandidimit të Bajram Begajt për president të Republikës, një reagim ka ardhur nga Partia Demokratike. Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD-së, Orjola Pampuri u shpreh që Edi Rama po zyrtarizon emërimin e njëanshëm të Presidentit.

Pampuri shton se Partia Demokratike bëri gjithçka dhe u përfshi në proces, në respekt të qytetareve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese. Sipas Pampurit, PD nuk e ka bojkotuar procesin por vendosën të mos bëjnë retorikë politike.

“Edi Rama nuk donte një proces gjithëpërfshirës, u tërhoq nga marrëveshja me opozitën dhe provoi para shqiptarëve që përbetimi se ishte i gatshëm për President konsensual ishte një mashtrim publik.” shkruan Pampuri.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve është miratuar që raporti për kandidatin për president të republikës, Bajram Begajn të kalojë në seancën plenare që do të mbahet ditën e sotme në orën 18:00.

Ndërkohë, deputetët që votuan kundër miratimit për kalimin e raportit në seancë plenare për kandidatin për president, Bajram Begajn ishin deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, si dhe deputetja e LSI, Erisa Xhixho.

REAGIM SI ZËDHËNËSE E GRUPIT PARLAMENTAR TË PD:

Edi Rama do zyrtarizojë sot në mënyrë të njeanshme emërimin e Presidentit të Republikës, që nxorri dje nga xhepi, pa asnjë proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Propozimi i kandidatit për President nga nongratat e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të damkosur nga SHBA se kanë vjedhur vota në bashkëpunim me krimin e organizuar, është prova e qartë e mungesës së legjitimitetit të PS për të zgjedhur njëanshmërisht Presidentin e Republikës.
 

Partia Demokratike bëri gjithçka dhe u perfshi në proces, në respekt të qytetareve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese. Ne nuk bojkotuam, nuk u fshehem, nuk bëmë retorikë politike. Tentuam të ndertonim një proces që i jepte Shqiperisë një President që përfaqëson unitetin e popullit. Edi Rama nuk donte një proces gjithëpërfshirës, u tërhoq nga marrëveshja me opozitën dhe provoi para shqiptarëve që përbetimi se ishte i gatshëm për President konsensual ishte një mashtrim publik.

Legjitimimi i këtij procesi të njëanshëm dhe fshehja pas artificave procedurale, gjoja me votë kundër sepse është ushtarak, është shërbimi më i mirë për ti dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës. Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore. Çdo cicërimë e ndryshme është thjeshtë fasadë për të fshehur legjitimimin e kapjes së një tjetër institucioni të pavarur nga Edi Rama, pikërisht nga të njëjtët individe që deri dje akuzonin duke shpifur kolegët e tyre se po beheshin pjesë e “farsës”.

/abcnews.al/