TIRANË- Përballje e tetorit me Çekinë dhe Gjeorgjinë, tekniku kuqezi i cilësoi si dy sfida të vështira, por jo të pamundura për t’i fituar.
Teksa u shpreh i qartë se nuk preferon shumë të bëjë eksperimente në fushë, trajneri tha se lojtarët duhet të japin maksimumin në këto dy ndeshje me shumë rëndësi për kuqezinjtë dhe objektivin e tyre.
“Kemi dy ndeshje të vështira, janë në transfertë të dyja. Çekia është e fortë, fiton centimetra dhe ka teknikë të mirë. Ka një tranzicion të shpejtë. Do jenë ndeshje të vështira”, tha ai.
Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, ndaj Çekisë më 11 tetor, ora 20:45 dhe ndaj Gjeorgjisë më 14 tetor, ora 20:45.
Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 7 tetor.
Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të enjten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë./ abcnews.al