Liga e Kombeve për vajza / Shqipëria mundet nga Irlanda në ndeshjen e katërt të grupit

schedule21:21 - 31 Tetor, 2023

schedule 21:21 - 31 Tetor, 2023

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka luajtur sot ndaj Republikës së Irlandës ndeshjen e katërt të Grupit B1 të Ligës së Kombeve. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” përfundoi me fitoren minimale të Irlandës me rezultatin 0-1.

Trajneri Armir Grima hodhi në fushë këtë formacion titullar: Viona Rexhepi, Armela Tukaj, Sara Maliqi, Alma Hila, Luçije Gjini, Ezmiralda Franja, Gresa Berisha, Megi Doçi, Qëndresa Krasniqi, Mimoza Hamidi, Kristina Maksuti.

Fillimi i ndeshjes është i barabartë me Irlandën që me kalimin e minutave krijon superioritet në lojë, duke u afruar disa herë në anët e portës së Shqipërisë. Megjithatë, kombëtarja kuqezi mbrohet mirë duke larguar rrezikun në disa raste.

Në minutën e 37-të vjen rasti më i mirë për Shqipërinë me Mimoza Hamidin që merr një pasim të bukur në hyrje të zonës dhe në momentin e fundit goditja e saj drejt portës bllokohet nga mbrojtja irlandeze. Në minutën e 40-të ka një pretendim penallti nga Shqipëria për një prekje të topit me dorë në zonë kur një krosim i Megi Doçit bllokohet nga mbrojtësja Louise Quinn, por arbitrja Araksya Saribekyan bën shenjë për vazhdimin e lojës.

Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e barabartë 0-0, ndërkohë që 45 minutat u luajtën në reshjet e dendura të shiut. Kjo ka bërë që UEFA të shtyjë për një orë rifillimin e pjesës së dytë, derisa reshjet e shiut pushuan dhe fusha u rikthye në gjendje normale.

Trajneri Grima bën zëvendësimin e parë duke hedhur në fushë Matilda Gjergjin në vend të Luçije Gjinit. Shqipëria është e vendosur mirë në fushë dhe arrin të ruajë ekuilibrin e ndeshjes, ndonëse Irlanda është më këmbëngulëse. Vajzat kuqezi i afrohen golit pas një rrëmuje në zonë, por nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës.

Në minutën e 70-të irlandezet i afrohen golit, por Rexhepi reagon mirë me një pritje të bukur. E njëjta skenë përsëritet edhe dy minuta më pas me portieren kuqezi që sërish bllokon sferën. Irlanda vazhdon të këmbëngulë dhe ka një tjetër rast të minutën e 81-të, kur topi i goditur me kokë nga Carusa gjen gati Rexhepin, e cila mban edhe një herë rrjetën të paprekur.

Gjithsesi, në minutën e 88-të Irlanda arrin të zhbllokojë rezultatin pas një kombinimi në zonë me Carusa që pason për Sullivan, e cila e ka të lehtë ta shtyjë topin në portë nga një distancë shumë e afërt. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe ndeshje mbyllet me fitoren minimale të Irlandës 1-0./ FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!