Luhet sot, në orën 21:00, finalja e Ligës së Europës. Arsenali dhe Çelsi përballen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndërsa atmosfera është tensionuar
Finalja angleze do të luhet këtu.
Arsenali dhe Çelsi ndeshen sonte në orën 21:00, në stadiumin “Olimpik” të Bakusë, për trofeun e Ligës së Europës.
Tifozë londinezë të të dyja skuadrave kanë vërshuar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, edhe pse e patën shumë më të vështirë sesa kudo tjetër.
Udhëtuan nga 5 orë e gjysmë deri në 27 orë, në varësi të biletave, ndërsa me ta u bashkuan edhe përkrahës nga vende të tjera.
Një tifoz I Çelsit udhëtoi gati 5 700 kilometra, përmes tre vendeve të ndryshme për të mbërritur në Baku.
Futbollistët e të dyja skuadrave kanë detyrimin të japin maksimumin dhe të fitojnë, edhe për të shpërblyer sakrifica të tilla.
Gjithsesi, për Çelsin punët nuk shkuan shumë mirë në seancën e fundit stërvitore në stadiumin e finales.
David Luiz e Gonzalo Higuain u përplasën gjatë gjithë kohës, në dyluftime të ashpra fizike dhe me nerva, diçka që duket se acaroi edhe trajnerin Mauricio Sarri.
Italiani, që e ka postin në dyshim, u largua duke protestuar nga fusha, ndonëse Çelsi sqaroi se kjo nuk ndodhi për shkak të zënkës së lojtarëve.
Blutë kanë në dyshim mesfushorin Kante, ndërsa mungojnë Hadson-Odoi, Loftus-Çik dhe Rydiger.
“Ne jemi gati për ta luajtur këtë finale, – ishin fjalët e trajnerit, – unë kam 22 lojtarë të bashkuar dhe të cilët unë I dua fort. Fillimisht e pata shumë të vështirë të kuptoja mentalitetin në Angli, por tani është ndryshe. Nuk dua të flas për të ardhmen, por vetëm për finalen”.
Nëse Çelsi dëshiron trofeun, për Arsenalin finalja ka edhe më shumë rëndësi, pasi vetëm fitorja do ta kualifikonte për në Champions sezonin e ardhshëm.
Presioni, pra pritet të jetë tepër I madh mbi të besuarit e trajnerit Unai Emeri.
“Topçinjtë” nuk do të kenë sulmuesin Mkitarian, që nuk udhëtoi dot në Baku, dhe të dëmtuarin Aron Ramsej, një problem I madh taktik për ta.
Një tjetër motiv për trofe për Arsenalin është edhe sedra, sidomos tani që skuadra e femrave u shpall kampione e Anglisë, diçka që djemtë kanë kohë që nuk e bëjnë.
“Kualifikimi për në Champions nuk do të na pengojë të luajmë futbollin tonë, – u shpreh trajneri Emeri, – synojmë titullin, dhe synojmë që shpejt të jemi ndër ekipet më të mirë të botës. Arsenali duhet të kthehet tek mentaliteti fitues, pasi kohët e fundit ka pasur vetëm futbollin e bukur”.
Disa tifozë të Arsenalit patën një të papritur në rrugët e Bakusë, pasi u ndalën nga policia azere.
Shkak duket se u bë fanela e armenit Mkitarian që mbanin veshur, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Për fat, oficerët e policisë, nuk I penguan gjatë tifozët, pasi morën udhëzime në radio.
E gjitha kjo nuk e pengoi atmosferën entuziaste, që krijohet para çdo finaleje.
Tifozë të Arsenalit e të Çelsit, banorë vendas dhe tifozë të ardhur nga gjithë bota, e kthyen në festë pragun e ndeshjes./ABC News Albania 24/7