Lideri koreano-verior, ftesë Seulit: Më shumë takime dypalëshe në 2019

schedule14:26 - 30 Dhjetor, 2018

schedule 14:26 - 30 Dhjetor, 2018

Lideri koreano-verior Kim Jong Un i ka dërguar një letër homologut në Seul, të cilin e fton për intensifikimin e takimeve dypalëshe gjatë 2019-s. Ndërsa shpreh dëshirën për të vizituar kryeqytetin e Jugut, Kim shprehet i hapur për të diskutuar edhe çështjen bërthamore të gadishullit Korean.

Lideri koreano-verior Kim Jong Un ka ftuar presidentin e Koresë së Jugut për të mbajtur më shumë takime dypalëshe vitin e ardhshëm. Në një letër dërguar qeverisë në Seul, Kim deklaroi se dëshiron të ndjekë rrugën e paqes mes dy vendeve dhe të zgjidhë bashkarisht me homologun e tij Mun Jae In çështjen bërthamore të gadishullit Korean. Gjithashtu, Kim shprehu keqardhje që nuk mundi të vizitonte Seulin në vitin 2018, premtim të cilin e bëri pasi Mun Jae In vizitoi Penianin në shtator. Gjatë vizitës në kryeqytetin e Veriut, presidenti i Jugut deklaroi se dy vendet duhet të bëhen një sërish. Edhe pse Veriu dhe Jugu teknikisht vazhdojnë të jenë në luftë, marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan ndjeshëm në vitin 2018 falë një seri nismash pajtimi të ndërmarra nga Kim Jong Un. Zëdhënësi i qeverisë së Seulit nuk sqaroi se si ishte dërguar letra, por e cilësoi atë si shumë të ngrohtë dhe tha se, Kim është i vendosur të vizitojë Seulin, në vartësi të rrethanave që do të verifikohen vitin e ardhshëm. Vitin që po lëmë pas Kim Jong Un u takua edhe me Donald Trump, që ishte dhe takimi i parë i një presidenti amerikan me një lider koreano-verior, por përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre hynë në ngërç në muajt e fundit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!