Lideri katalanas flet nga Brukseli: “Nuk kam kërkuar azil”

schedule15:21 - 31 Tetor, 2017

schedule 15:21 - 31 Tetor, 2017

Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puçdemon mohoi të kishte kërkuar azil në Bruksel. Nga kryeqyteti belg, Puçdemon tha se kauza katalane ve në pikëpyetje themelet e Europës, së cilës i bëri thirrje të reagojë.

Presidenti i shkarkuar i rajonit të Katalonjës, Karles Puçdemon nuk ishte në Bruksel për të kërkuar azil. Këtë e konfirmoi vetë gjatë një interviste nga kryeqyendra e Europës, ku sqaroi se kishte udhëtuar deri atje për të marrë bindur zyrtarët e lartë të unionit, ta mbështesnin.
Carles Puigdemont, Presidenti i shkarkuar i Katalonjës: Europës i kërkojmë të reagojë. Kauza katalane ve në pikëpyetje vlerat, mbi të cilat bazohet Europa. Dhe është një çmim tepër i lartë që njerëzit kanë për të paguar.
Puçdemon i dha fund të gjitha dyshimeve të ngritura se ai kishte udhëtuar drejt Brukselit për të kërkuar azil politik, për ti shpëtuar akuzave penale të ngritura nga Madridi. Konfirmoi se nuk e kishte braktisur qeverinë dhe se do të vazhdonte punën, pa iu shmangur drejtësisë, me të cilën premtoi se do të përballet deri në fund. Madje tha edhe se ishte i gatshëm të bënte edhe 30 vite burg, nëse do të shpallej fajtor nga një proces gjyqësor i paanshëm.
Një ditë më parë, kryeprokurori spanjoll Joze Manuel Maza, bëri publike akuzat e ngritura ndaj Puçdemonit. Ai u vu nën akuzë për organizim rebelimi dhe përvetësim fondesh. Por prokurorët nuk kërkuan arrestimin e tij. Puçdemon dhe grupimi i tij politik janë nismëtarë të referendumit të suksesshëm pavarësi të Katalonjës më 1 tetor, që gjykata kushtetuese e Spanjës e konsideroi të paligjshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!