Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar dy kandidaturat për liderin e ri të kësaj force politike pas dorëheqjen së Isa Mustafës.
Përveç Lumir Abdixhikut, kandidatura për kryetar LDK i është konfirmuar edhe kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Diçka të tillë e ka konfirmuar faqja zyrtare e LDK-së në ‘Facebook’, teksa ka thënë se këto kandidatura u paraqitën sot, në mbledhjen e kryesisë.
“Në mbledhjen e sotme, u paraqitën edhe dy kandidatura për Kryetar të LDK-së. Kandidaturat për Kryetar të LDK-së i paraqitën z. Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i Gjilanit si dhe z. Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së”, thuhet në postim.
Abdixhiku e konfirmoi kandidaturën e tij nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ për zgjedhjet e brendshme të LDK’së më 14 mars, teksa tha se figura të rëndësishme të këtij subjekti ia kërkuan atë.
Postimi i plotë:
Sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbajti mbledhjen e rradhës me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të LDK-së.
Në mbledhje u dakordua për përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme për mbledhjen e Kuvendit dhe në parim u konfirmuan edhe emrat e delegatëve të Kuvendit, të cilët janë konfirmuar nga secila degë e LDK-së.
Në mbledhjen e sotme, u paraqitën edhe dy kandidatura për Kryetar të LDK-së. Kandidaturat për Kryetar të LDK-së i paraqitën z. Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i Gjilanit si dhe z. Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Në mbledhje gjithashtu u shpreh se ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim.