Lideri i laburistëve: Nuk duhet të gjykojmë helmimin e ish-spiunit rus

schedule16:06 - 16 Mars, 2018

schedule 16:06 - 16 Mars, 2018

Lideri i laburistëve britanikë Xheremi Korbin kritikon vendimet më të fundit të kryeministres Mej, duke thënë se nuk duhet gjykuar para kohe përsa i përket helmimit të ish-spiunit rus në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, Kremlini paralajmëron reagime të ashpra.

Ka dyshime, por akuza të vërtetuara nuk ka akoma. Lideri i laburistëve Xheremi Korbin sfidon kritikët dhe me një editorial në të përditshmen britanike Guardian, bën apel për qetësi dhe për të mos gjykuar para kohe rreth përgjegjësisë për helmimin në Salisbury të ish spiunit rus, Serghei Skripal dhe vajzës së tij Julia, qoftë dhe duke u mbështetur në elemente që cojnë në drejtim të Rusisë. Nga ana tjetër ai shkruan se Partia Laburiste nuk e mbështet regjimin e Putin, autoritarizmin e tij konservator, shkeljen e të drejtave të njeriut, korrupsionin politik dhe atë ekonomik.

Por Kobin thekson se duhet reaguar me qetësi në pritje të provave. Lideri i laburistëve këmbëngul se e dënon aktin barbar pa përjashtuar hipotezën e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Kremlinit apo të ambienteve të tjera ruse, ekonomiko – mafioze. Korbin përfundon shkrimin e tij duke thënë se atmosfera e tensionuar në parlamentin britanik nuk i shërben drejtësisë dhe as sigurisë kombëtare
Kremlini nga ana e tij paralajmëroi se masat nga Moska si reagim i vendimeve të Londrës për çështjen Skripal do të merren shumë shpejt. Zëdhënësi i presidentit rus Dimitri Peskov shtoi se të gjitha detajet e këtyre masave do të studiohen mirë në mënyrë që të plotësohen interesat e vendit./abcnews.al