Liderët europianë prezantojnë paktin e përbashkët për mbrojtjen

schedule20:28 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 20:28 - 14 Dhjetor, 2017

Liderët europianë prezantuan në Bruksel paktin e përbashkët për mbrojtjen. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se ky është një lajm i keq për armiqtë e Unionit.

Të rrethuar nga ushtarë me uniforma luftarake, liderët Europianë inaguruan të enjten paktin e bashkëpunimit të mbrojtjes, për të cilin Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se është “lajm i keq për armiqtë e Unionit”. Njëzet e pesë vende të Unionit – përveç Danimarkës, Maltës dhe Britanisë, që po largohet nga blloku – iu bashkuan të ashtuquajturit bashkëpunim i përhershëm i strukturuar në mbrojtje, ose ndryshe PESCO.

Marrëveshja synon që shtetet e BE-së të punojnë më ngushtë dhe të shpenzojnë më shumë para në projektet e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e armëve të reja. Pas gjysmë shekulli përpjekjesh të pashpresa për të integruar aftësitë mbrojtëse europiane, aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe pretendimet e sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga Moska, dhanë idenë për një shtysë të re.

“Për shumë vite, argumenti më i fortë kundër PESCO-s kishte qenë frika se do të çonte në dobësimin e NATO-s. Por është krejt e kundërta – mbrojtja e fortë europiane natyrisht e forcon NATO-n. Kjo është arsyeja pse PESCO nuk është vetëm një lajm i mirë për ne, por është gjithashtu një lajm i mirë për aleatët tanë dhe një lajm i keq për armiqtë tanë”, tha Tusk në një samit në Bruksel.
Ndërkohë, kjo nismë është mbështetur edhe nga NATO. Me anë të një reagimi zyrtar, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thotë se kjo marrëveshje do të forcojë mbrojtjen e Europës dhe NATO-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!