Liderët europianë mblidhen sot në Granada, çfarë pritet të diskutojnë

schedule09:29 - 5 Tetor, 2023

schedule 09:29 - 5 Tetor, 2023

Rreth 50 liderë eropianë do të mblidhet sot në Granada, në Spanjën jugore, si pjesë e Komunitetit Politik Europian me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit pavarësisht tensioneve dhe konflikteve në rritje në kontinent.

Ndonëse ka një vlerë të fortë simbolike, fotoja familjare e samitit të tretë të Komunitetit Politik Europian nuk do të ketë shkëlqimin që pritej. Mungesa e presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan është një pengesë për forumin, një nga qëllimet kryesore të të cilit është të sigurojë një kornizë jozyrtare për lehtësimin e tensioneve rajonale.

Dy javë pasi një sulm i forcave të Azerbajxhanit dëboi pothuajse të gjithë popullsinë armene nga enklava e Nagorno-Karabakh, ky samit dukej si mundësi e përkryer për një takim.

Por dje, të mërkurën, Aliyev, i mërzitur nga mbështetja europiane për Armeninë, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Granada. Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, i cili do të jetë në Granada, tha se ishte i zhgënjyer.

Objektivi i Komunitetit Politik Evuropian është të bashkojë vendet përtej Bashkimit Europian: 20 vende janë ftuar në këtë takim të tretë.

Midis tyre janë vende që kanë deklaruar dëshirën e tyre për t’u bashkuar me bllokun, vende që e dinë se dera e tij është mbyllur prej kohësh dhe Britania, e cila zgjodhi shtatë vjet më parë të largohej.  “Mungesa e Erdoganit për herë të dytë radhazi dobëson Komunitetin Politik Evropian, i cili shërben për të zhvilluar bisuedime me Ankaranë në një format tjetër përtej BE-së, në të cilin kandidatura e saj është ngrirë”, nënvizoi Sebastien Maiard nga Instituti Jacques Delors.

Me anulimin e debatit të shumëpritur për Nagorno-Karabakh, takimi në Granada ka të ngjarë të fokusohet në krizën e migracionit, një çështje që kryeministri britanik dëshiron ta nxjerrë në pah.

Dje 27 liderët e BE-së ranë dakord për një pakt mbi reformën e politikës së migracionit.

Por në pritje të finalizimit të reformës së sistemit europian të imigracionit, që mund të marrë kohë, Italia dhe Britania po bëjnë thirrje për veprime më të menjëhershme.

Sipas Downing Street, Sunak dhe Giorgia Meloni do të takohen në margjinat e samitit dhe do të njoftojnë “veprim të përbashkët” për këtë çështje.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!