Turqia vazhdoi me përshkallëzimin e retorikës anti BE, provokimet dhe veprimet e njëanshme, dhe për këtë arsye Bashkimi Europian dha dritën e gjelbër për sanksione të reja që do të prekin ente dhe individë, duke zgjatur listën e atyre që preken nga masat kufizuese pas kërkimeve të paligjshme turke në Mesdheun lindor.
“Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe ka përshkallëzuar retorikën e saj ndaj BE-së, shteteve anëtare të BE-së dhe liderëve europianë”, thuhet në deklaratën e publikuar pas debatit të liderëve të BE-së në samitin që po mbahet në Bruksel.
“Veprimet e njëanshme dhe provokimet në Mesdheun Lindor ende po vazhdojnë, përfshirë edhe në zonën ekonomike të Qipros”, sipas deklaratës.
Një diplomat tha për agjencinë AFP se sanksionet do të kenë në shënjestër individë dhe se blloku europian do të ndërmarrë edhe masa të tjera, “nëse Turqia vazhdon me veprimet e saj”.
Ministria e Jashtme turke ka thënë se kjo listë e re e sanksioneve nga BE-ja është “e njëanshme” dhe “e paligjshme”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka mirëpritur vendimin e BE-së mbi Turqinë, duke thënë se do të kishte zhgënjim në Greqi dhe Qipro, nëse liderët europianë nuk do të binin dakort për një embargo të armëve apo për sanksionim të sektorëve të ekonomisë turke.
Konkluzionet, që janë publikuar nga Këshilli Europian, tha se lista do të përpilohet për sanksionet ndaj Turqisë.
Para këtij samiti, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se “Turqia nuk shqetësohet për sanksionet që do të ndërmerren nga BE-ja”.
“BE-ja asnjëherë nuk na ka trajtuar me ndershmëri. BE-ja nuk ka mbajtur premtimin që na ka dhënë, por ne gjithmonë kemi qenë të durueshëm dhe do të jemi”, ka deklaruar Erdogan.
Përveç eksplorimeve të kryera në Mesdhe, Turqia gjithashtu është akuzuar se ka shkelur embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara për Libinë, shtet ku Ankaraja mbështetë qeverinë e Tripolit në luftën civile./abcnews.al