Ndërsa politika italiane është aktualisht në një moment kyç, liderët e BE dhe të vendeve anëtare kanë një apel të përbashkët për një qeveri të qëndrueshme dhe pro europiane në Itali.
Liderët e Bashkimit Europian si dhe përfaqësuesit më të lartë të vendeve europiane kërkojnë nga Italia krijimin sa më të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme dhe pro europiane. Në dekaratat e tyre, ata janë përpjekur të shpjegojnë se BE nuk është pengesa kryesore për vetëvendosjen e secilit shtet.
Deklarata më e fortë ishte ajo e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila u shpreh se dëshiron të bashkëpunojë me të gjitha qeveritë, porn ë zonën euro ka rregulla që nuk mund të anashkalohen. Ajo shtoi se ndoshta do të ketë problem, por dhe atëherë me Greqinë e Tsipras pati problem, por në fund u arrit një marrëveshje. Merkel theksoi se ia vlen të gjende një zgjidhje pasi Italia është një anëtar i rëndësishëm i Bashkimit Europian.
Presidenti francez, Emanuel Macron, nga ana e tij lavdëroi kurajon dhe shpirtin e përgjegjësisë së presidentit Italian Sergio Matarella. Macron u shpreh se mbështeste dhe mbronte miqësinë me homologun e tij italian, i cili ka përpara një detyrë shumë të rëndësishme, ruajtjen e qëndrueshmërisë institucionale dhe demokratike të vendit të tij.
Përfaqësuesja e lartë për politika të jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, tha se si të gjithë italianët kishte besim në institucionet e vendit duke filluar që nga presidenti, i cili është garant i Kushtetutës që është e mrekullueshme dhe shumë e qëndrueshme.
Nga Spanja, e cila gjithashtu është përfshirë në një krizë politike pasi opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit Rajoy, vjen deklarata se pasiguria politike në Itali nuk ndihmon në garantimin e qëndrueshmërisë për të cilën Europa ka nevojë në këto moment.
E pikërisht mbi këtë qëndruehsmëri këmbëngul dhe Belgjika me anë të ministrit të saj të Jashtëm, duke i kërkuar Romës krijimin e një qeverie të qëndrueshme e me të cilën Bashkimi Europian mund të punojë në mënyrë efikase.
Por ka pasur dhe reagime që mbështesin situatën e krijuar, si ai i lideres së Frontit Kombëtar në Francë, Marin Le Pen, e cila u shpreh se për herë të parë që nga rrëzimi i regjimeve autoritare në Europë, një vend europian është përballë një grushti shteti objektivi i të cilit është të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve duke bërë të heshtë institucionalisht demokracinë./abcnews.al