Licencimi për kupat e Europës, FSHF “ul qepenin”

schedule12:58 - 1 Maj, 2020

schedule 12:58 - 1 Maj, 2020

Klubet e Superiores, ato që pretendojnë në fund të sezonit të marrin pjesën në kupat e Europës, kanë dorëzuar dosjet me dokumentacionin e duhur për kriterin financiar, që është edhe më i rëndësishmi. Fillimisht ishte vendosur 31 marsi si afat, por UEFA e shtyu me një muaj.

“Ditën e djeshme ka përfunduar procesi i dorëzimit të dosjeve të kriterit financiar për të gjitha klubet aplikante për një licencë në kompeticionet e UEFA-s.

Prej ditës së hënë, datë 4 maj 2020 të gjitha dosjet do t’i dërgohen ekspertit të kriterit financiar, i cili do të përpilojë raportet për secilën skuadër. Në përfundim të analizës, të gjitha raportet e ekspertëve do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit në FSHF”, njofton FSHF.

Më parë klubet kanë plotësuar dosjet për kriterin infrastrukturor, atë administrativ dhe ligjor, ndërkohë që kriteri sportiv mbetet për t’u plotësuar me mbylljen e kampionatit, pasi për momentin është ndërprerë dhe nuk ka një vendim de kur do të rinisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!