Licencimi, pagat, titulli kampion dhe pankina: Halili prek shumë tema

schedule18:19 - 4 Maj, 2020

schedule 18:19 - 4 Maj, 2020

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka dhënë një intervistë të gjatë në lidhje direkte me emisionin Fan Zone në Supersport. Kreu i pankinës, e ardhmja e disa prej talenteve të Tiranës, licencimi në UEFA dhe merkato e ardhshme, ishin vetëm disa nga temat e shumta për të cilat Halili foli.

IZOLIMI – “Ka qenë një periudhë shumë e vështirë izolimi dhe është e vështirë edhe pa futboll, pasi ky sport sikur largon pak ato vështirësitë që përjetojnë njerëzit të mbyllur. Do të ishte mirë që stërvitjet të rinisnin, duke guxuar pak, por duke bërë edhe kujdes. Bëhet fjalë për fushë me hapësirë të madhe dhe nuk do të ishte problem për stërvitje në distancë”.

TITULLI – “Më e mira është që ne të rikthehemi në fushë dhe ta fitojmë aty titullin kampion. Do të doja të festonim me tifozët, pasi nuk fitojmë prej shumë vitesh një titull kampion”.

FESTA – “Tifozët e Tiranë gjejnë gjithmonë mënyrën e duhur për të festuar dhe jam i bindur që do të festojmë me praninë e tifozëve, por se si, mbetet për t’u përcaktuar më vonë”.

LICENCIMI – “Kur flasim për licencimin, duhet të kemi parasysh që është një proces për të cilin punohet prej muajsh, në bazë të kritereve të vendosura nga UEFA dhe FSHF-ja. Unë besoj se i kemi plotësuar të gjithë kriteret, pasi kemi paguar një shumë të konsiderueshme detyrimesh dhe kemi arritur edhe një marrëveshje me tatimet. Dokumentacioni tashmë është në Federatë dhe është i plotë e i rregullt, ndaj jam i sigurt që do të licencohemi”.

NDESHJET – “Të them të drejtën, i shikoj herë pas here ndeshjet e Tiranës, falë edhe transmetimit e ritransmetimit nga ana juaj si dhe kam arritur në konkluzionin që nuk jemi rastësisht në krye të renditjes. Kemi pasur edh fat në ndeshje të caktuara, por kemi edhe elementë me shumë cilësi në grup, të cilët i falënderoj për kontributin që kanë dhënë në fushën e lojës. Megjithatë, nëse do të veçoja një ndeshje, është ajo ndaj Partizanit në derbi”.

MERKATO – “Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar qoftë edhe vetëm për Champions Leaguen, me lojtarë të ndryshëm, përfshi edhe emra që janë pjesë e Kombëtares Shqiptare aktualisht. Të gjithë e kanë portën të hapur për të kontribuuar te Tirana dhe ne jemi gati të bashkëpunojmë me ta”.

PAGAT – “Kam bërë një takim me futbollistët para 4 ditësh dhe duke u nisur nga pozicioni që jemi aktualisht në renditje, por edhe kontributi që kanë dhënë për klubin, kemi vendosur të mos u reduktojmë asnjë cent nga pagat mujore”.

EGBO – “Ai erdhi vetëm për një ndeshje, por të gjithë bashkë, nga unë deri te lojtarët, e ndihmuam dhe vendosi të qëndrojë deri në fund të sezonit. Ka bërë një punë shumë të mirë, por e kemi vendosur që kur të përfundojë sezoni, të ulemi dhe të bisedojmë. Fillimisht do të flasim me të dhe më pas do të nisim punën për ndërtimin e skuadrës për Europën dhe sezonin e ri”.

TALENTET – “Kemi disa lojtarë të rinj si Muçi, Çelhaka, Grenti, Ismailgeci etj., janë lojtarë të Akademisë së Tiranës dhe po bëjnë mirë. Ne i kemi mbështetur gjithmonë lojtarët e rinj”.

MUÇI – “Veçanërisht Muçin, të cilin e falënderoj për atë që ka dhënë. Sa për oferta, dje më kanë kontaktuar dy menaxherë dhe më kanë kërkuar që të marrin futbollistin në muajt e verës, për ta çuar në një tjetër klub. Të shohim se si do të rrjedhin gjërat, pasi ne jemi gati ta ndihmojmë të ecë më lart”.

LOJTARËT – “Nuk dua të bëj diferencën mes lojtarëve, por mbrojtja, me kthimi ne Gentian Muçës dhe ri-pozicionimin e Vangjelit, kanë ndryshuar totalisht prapavijën tonë. Edhe Batha e Torassa kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke u përshtatur shumë mirë. Çelhaka gjithashtu vrapon pa pushim, ndaj jam shumë i kënaqur me të gjithë dhe i falënderoj për këtë”.

100 VJETORI – “Sa i përket infrastrukturës, po ndërtojmë një fushë të mbyllur, që do t’i shërbejë kryesisht akademisë, por edhe skuadrës së parë dhe do të inaugurohet në festën e 100-vjetorit. Po punojmë për festën e 100-vjetorit në fakt dhe ka një grup njerëzish që merren me këtë. Pikërisht ky grup do të vendosë, por di që kanë në plan edhe një këngë për 100-vjetorin”.

KRAHASIMI – “Tirana e 2007-ës, 2009-ës apo kjo aktualja? Të gjithë sezonet kanë pasur bukuritë e veta, madje edhe periudha kur ishim 4 donatorë, me të cilët bashkëpunoja shumë mirë, por do zgjidhja këtë sezonin aktual, që e kam edhe më afër.

LOJTARI&TRAJNERI – “Për mua, lojtari më i mirë që ka veshur fanellën e Tiranës gjatë presidencës time, është Dejvi Muka. Jo vetëm për mua, por edhe për shumicën e tifozëve, që e treguan këtë gjatë votimit. Trajnerë të mirë kemi pasur gjithmonë, por unë do të veçoja nga ana profesionale, Ilir Dajën, duke parë se çfarë ka bërë edhe pas largimit nga Tirana”.

DAJA TE TIRANA – “Vendimin do ta marrë grupi drejtues, por ne kemi në pankinë Egbonë, për të cilin flasin rezultatet dhe momentalisht ai është njeriu u duhur për Tiranën”, u shpreh Halili./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!