Aldi Topçiu, drejtor juridik në FSHF, është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. Topçiu foli për licencimet e klubeve shqiptare, paketën e ligjit sportiv e disa tema të tjera: “Me fillimin e ri kalendarik, presioni do të jetë gjithmonë e më shumë në rritje për paketën e ligjit sportiv.
Në mendimin tim, çështja e problemeve financiare dhe e ligjit të sportit janë të lidhura, por jo me domosdoshmëri. Ajo që dua të them është se klubet tona duhet të heqin dorë nga rezultatet afatshkurtra. Pra, shpeshherë i bëjnë drejtuesit e klubeve të synojnë rezultate afatshkurtra për hir të një interesi afatshkurtër. Kjo gjë, është një model i gabuar. Ato investime të cilat ekzistojnë, më mirë të shfrytëzoheshin për strukturimin e një klubi, në ekipet zingjirë, tek ekipet e femrave e kështu me radhë. Kemi thënë dhe herë tjetër: Nuk është vetëm problem i Flamurtarit, por problem i sportit dhe i shoqërisë.
I gjithë procesi ka qenë i konsultuar në nivel financiar, Federata ka marrë garanci nga Qeveria për paketat që ne kemi paraqitur. Për të gjitha klubet sportive, kemi kërkuar taksën 0. Gjithsesi, ne e kemi konsideruar Qeverinë si partner, kemi besim se te ato premtime, pasi janë nevoja për sportin shqiptar. Synimi ynë është ky: Të gjitha klubet pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore të jenë të licencueshme për Kupat e Europës. Kriteret janë të ndryshme. Synimi ynë afatshkurtër është ky, që të gjitha ekipet në Superiore të jenë të licencueshme për Kupat e Europës. Nuk duam të përsëritet situata e vjetshme me Flamurtarin, që ishte për Kupat e Europës dhe nuk u lincencua.
Nga borxhet faktike, që janë të provuara, janë të mjaftueshme për procesin e lincencimit. Ky proces, fillon në dhjetor dhe përfundon në fund të marsit, ku dorëzohen dokumentet financiare. Klubet e futbollit kanë marrëveshje me kreditorët e tyre, me lojtarët nëse kanë borxhe, me tatimet. Borxhet te klubet janë të fryrë nga mediet, nuk janë të njëjtat shifra”./abcnews.al