Libohova: Nuk po i biem murit me kokë! Rama e Duka mund t’i vënë “vulën”

schedule22:56 - 19 Tetor, 2020

schedule 22:56 - 19 Tetor, 2020

Edvin Libohova, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, ishte në takim me presidentët e Superiores ditën e sotme. Sërish u vendos që bojkoti të vazhdojë, ndërkohë që në lidhje me situatën e krijuar në futboll ai ka folur në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” të Gerti Çarçanit, që transmetohet çdo të hënë e të enjte në ABC News.

“Jemi në situatën që nuk kemi gjetur një zgjidhje, edhe pse kanë nisur bisedimet me Ministrinë. Shpresat nuk humbasin, por bojkoti vazhdon deri kur të plotësohen kushtet. Tre nga kërkesat janë specifike, kryesorja është ajo për Ligjin e Sponsorizimit.

Duhet ndryshuar forma, kemi bërë një propozim konkret. Shuma që i merret buxhetit është e njëjta, por forma ndryshe. Ndoshta futbolli po merr koston për të gjitha sportet. Po flasim për diçka madhore, për diçka që hap një perspektivë që zhvillon sportin”.

“Nga katër kërkesat, u ndalëm te tre më pak të rëndësishme. Po gjejmë një farë zgjidhje, mund të gjendet nesër. Për Ligjin e Sponsorizimit nuk ka zgjidhje. U hodh në tavolinë ligji aktual. Ai nuk funksionon. Nuk e di a do na vijë nesër në tavolinë një variant tjetër. Uroj të kenë reflektuar dhe të vijnë me një format tjetër që mund të përfitojë sporti”.

“Do ishim të gatshëm, të toleronim tre kërkesat. Ato nuk i kushtojnë gjë buxhetit shtetit. Nëse do kishte një Ligj Sponsorizimi funksional, do të sakrifikonim tre kërkesat e tjera. Tatimi mbi burimin kërkohet më shumë se dy vite, për ta formalizuar. Nëse nuk ndodh janë të hapur ta zgjatin. Mund të gjendet një zgjidhje”.

“Takimi Rama-Duka? Nëse do takohen, ata do t’i vendosin vulën zgjidhjes së këtij problemi. Ne vazhdojmë me diskutimet teknike. Ata do kishin një situatë korrekte. Kjo luftë nuk bëhet vetëm për futbollin, nuk bëhet për sot, por bëhet për të ardhmen dhe brezat që merren me sport. Në ët ardhmen mund të themi që dikur luftuam dhe ia arritëm”.

“Nuk po i biem murit me kokë, jemi ulur në tavolinë. Të gjitha pretendimet mund të zgjidhen në tavolinë. Ndërprerja e lojës nuk është vetëm karshillëk. Ka pasur edhe zëra të tillë, që po i bëjmë dëm vetes. Gjithsesi në fund të gjithë kanë qenë të të njëjtit mendim”.

“Patjetër klubet kanë humbje tani, edhe në pandemi kishin. Nuk është në interes të askujt që kjo situatë të vazhdojë, të gjithë dalim të humbur. Përpara një kauze ia vlen një sakrificë, madje edhe kjo humbje që mund të kenë klubet në këtë periudhë”.

“Do doja që të kishte futboll këtë fundjavë. Pas takimit të nesërm mund ta them më i sigurt. Besoj shumë edhe te takimi që ju thatë, mes kryeministrit dhe Dukës. E gjitha mund të jetë një vullnet politik më shumë”, tha mes të tjerash Libohova. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!