Në Prishtinë po zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, që ka nisur mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:00. Opozita në Kosovë ka kërkuar sot nga Parlamenti miratimin e një rezolute që të çojë në shpërndarjen e Kuvendit dhe më pas vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi qeveria, sipas saj, dështoi në procesin e liberalizimit të vizave.
Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur një ditë pas vizitës së komisionerit të BE Johanes Hahn, kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, akuzoi koalicionin qeverisës se përveç dështimit në rrafshin ndërkombëtar, po harton një plan të dështuar për zgjidhjen e kontestit me Serbinë.
“Ata zhgënjyen Brukselin dhe qytetarët tanë. Arroganca e këtyre personave është e patolerueshme”, tha Hoti.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për tërheqjen e njohjes së pavarësisë nga disa shtete dhe paralajmëroi koalicionin se nuk do të mund ta bëjë kurrë korrigjimin e kufijve.
Në të njëjtat linja, kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se jo vetëm komisioneri Hahn foli qartë gjatë vizitës në prishtinë, por edhe eurodeputetja Tanja Fajon e deklaroi hapur se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën.

