Gazetari Visar Duriqi, në një intervistë për “Ballkan Update”, theksoi se me liberalizimin e vizave, tendenca për t’u larguar nga Kosova është rritur. Ai thotë se mungesa e investimeve nga qeveria Kurti por edhe pasiguria në veri të vendit, kanë qenë ndër faktorët që po i shtyjnë të rinjtë të largohen.
“Numri i kërkesave të larta të njerëzve për pasaporta është një tregues që njerëzit duan të provojnë fatin që të gjejnë angazhim në Evropë. Çka po i shtyn njerëzit që të ikin? Që të mos bëhemi të padrejtë ndaj qeverisë aktuale, fajet i kanë edhe qeveritë e kaluara për shkak se korrupsioni është në nivel pandemie në Kosovë. Por në këtë qeverinë e fundit, kemi parë se kanë munguar në masë të madhe investimet kapitale dhe kjo i ka shtyrë njerëzit të shikojnë për mundësi jetese jashtë. Në dy vitet e fundit, janë bllokuar afro 1.4 miliardë euro me investime kapitale. Mungesa e investimeve kapitale dhe rritja e pasigurisë sidomos në veri, i ka bërë njerëzit që të shohin si një lloj ikje në masë prej Kosove.”, tha Duriqi.
Analisti Faton Mehmedi theksoi se largimi i të rinjve është një problem rajonal. Ai thotë se edhe në Maqedoninë e Veriut, standardi i jetesës dhe korrupsioni kanë bërë që të rinjtë të shohin për të ardhmen e tyre jashtë vendit.
“Mendoj se është një problem rajonal dhe i madh pasi Evropa ka nevojë për njerëz. Ne jemi më të përafërt me ta kulturalisht. Duke marrë parasysh se jetojmë në një shoqëri e cila nuk ka rregulla, mendoj se ky është problem kryesor. Nuk është vetëm standardi i jetesës por edhe i implementimit të ligjit. Korrupsioni i skajshëm dhe klima që nuk ofron për të ardhmen e të rinjve, që kanë aftësi për t’u zhvilluar këtu, prandaj shohin si mundësi largimin nga vendi.”, theksoi analisti./abcnews.al