Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut në Liban, Hasan Nasrallah kërkoi tërheqjen e ambasadorit të Libanit nga Suedia dhe largimin e ambasadorit suedez nga vendi i tij për shkak të përsëritjes së sulmeve kundër Kuranit.
Nasrallah, i cili mori pjesë në një program të organizuar nga Hezbollahu përmes video-konferencës, reagoi ndaj sulmeve që synonin Kuranin në Suedi.
Ai tha se bota arabe dhe islame duhet të mbajnë një qëndrim si Iraku për të mos përsëritur sulmet kundër librit të shenjtë. “Ajo që duhet të bëjnë arabët dhe muslimanët është të largojnë ambasadorët e Suedisë nga vendet e tyre duke ushtruar presion dhe të tërheqin ambasadorët e tyre nga ky vend”, theksoi Nasrallah.
Nasrallah i bëri thirrje qeverisë libaneze të largojë ambasadorin e Suedisë nga Bejruti dhe të tërheqë ambasadorin e saj nga Stokholmi.
Thirrje nga Ministria e Jashtme e Libanit në Suedi
Pas kësaj thirrjeje të Nasrallahut drejtuar qeverisë libaneze, Ministria e Jashtme libaneze lëshoi një deklaratë me shkrim.
Deklarata i bën thirrje Suedisë “të marrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund të gjitha llojeve të hapave që mund të thellojnë islamofobinë dhe urrejtjen dhe mosrespektimin e feve”.
Në deklaratë thuhet se lejimi i Suedisë për të mos respektuar Kuranin edhe një herë do të thotë se vazhdimisht dëmton ndjenjat dhe nderin e muslimanëve.