Qyteti i Lezhës është përballur me mot të keq që prej natës së mbrëmshme, i shoqëruar me reshje të dendura shiu.
Si pasojë, disa rrugë në qytet janë përmbytur, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.
Në zonën e njohur si blloku 11.2 hektarë, Policia ka bllokuar përkohësisht lëvizjen për shkak të nivelit të lartë të ujit në rrugë.
Probleme janë evidentuar edhe në bllokun 11 Janari, ku rrugët kanë pasur prani të konsiderueshme uji.
Ndërkohë, oborri i shkollës 9-vjeçare Kosova ka qenë i pakalueshëm për nxënësit gjatë orëve të mëngjesit.
Gjatë ditës së sotme, mjete dhe këmbësorë janë përballur me vështirësi në lëvizje si pasojë e reshjeve intensive, por fatmirësisht nuk raportohen dëme.
Punonjësit e shërbimeve në Bashkinë e Lezhës janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit për të mbajtur të hapura pusetat, me qëllim evadimin e ujërave. situata është krijuar për shkak se sistemi i kullimit të qytetit është i bllokuar në pjesë të konsiderueshme dhe nuk lejon largimin e shpejtë të ujërave.
Prej rreth tre muajsh në Lezhë ka nisur investimi për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, projekt që pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e përmbytjeve në raste reshjesh intensive.


