Robert Lewandowski është sulmuesi më i mirë në botë për momentin. Bomberi polak u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2020 nga FIFA, ndërsa këtë sezon shënoi 41 gola në Bundesligë, duke thyer e parakaluar një legjendë si Gerd Muller (40 gola).
32-vjeçari ka dhënë një rrëfim për Canal +, aty ku flet rreth së ardhmes së tij. Në Mynih ndihet për mrekulli, por ideja për të provuar një aventurë të re dhe për të njohur një tjetër kulturë, e tundon. Rekordi i golave? I dukej i paarritshëm, por ja që ia doli, edhe pse humbi disa ndeshje për shkak dëmtimi.
“Unë jam një tip me mendje të hapur. Bayerni është fantastik, klubi është madhështor dhe qyteti fantastik. Gjithsesi, unë kam gjithmonë kuriozitet për të njohur kultura të reja. Ama, nuk e di nëse do të njoh një kulturë të re si futbollist aktiv apo pasi të mbyll karrierën.
Rekordi i 41 golave në Bundesligë? Unë nuk jam i fiksuar pas rekordeve. Kur pranoj sfida të reja, tentoj të bëj gjithmonë atë që s’e ka bërë askush më parë. Ky synim më shtyn të jap më të mirën time. Dua të jem i sinqertë, mendoja se nuk do mund t’i afrohesha kurrë këtij rekordi.
Kjo edhe prej faktit që mungova në disa ndeshje, kam qenë i dëmtuar për një pjesë të sezonit. Nuk e ndjej madhështinë e thyerjes së rekordit. Realisht nuk e ndjej, por ndoshta është më mirë kështu“, thekson sulmuesi polak i rekordmenëve të futbollit gjerman. /abcnews.al

