Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”.
Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin Klaudio Vuksani, që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë.
Në vijim të veprimeve, Klaudio Vuksani, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/ abcnews.al