“Ballkan”-Linda Karadaku
Lëvizjet, ndarjet, përçarjet dhe rrymat brenda partive politike në Ballkan kanë dinamike të ndryshme nga ato të Perëndimit, kryesisht për shkak të kontekstit historic dhe rrënjëve të tyre, një pjesë parti të dala nga ish-regjimet dhe sistemet komuniste, një pjesë tjetër nga rrënjët nacionalistë ose ultra-nacionaliste, të djathta ose ultra të djathta.
Në secilin nga vendet e Ballkanit, partitë kryesore kanë kaluar në kalvare të tilla transformuese ose shteruese, përfshi këtu ultra-nacionalistët në Serbi, partinë nacionalistë të shndërruar në demokratike në Mal të Zi, përçarjen dhe rrudhjen e votave për partitë më të mëdha në Kosovë, ndryshimet e lidershipit në Pasokun e Greqisë apo daljen e eksponentëve të rëndësishëm të partisë së Erdogan për të krijuar parti të re në Turqi.
Edhe në Shqipërinë ballkanike po ndodh saga e Partisë Demokratike, në betejën për lidershipin e partisë midis Sali Berishës, themelues i partisë dhe politikan që ka shënjuar politikën shqiptare në 30 vitet e fundit dhe Lulzim Bashës, kryetar i partisë, një zgjedhje e vetë Berishës, të cilën ai e mbështeste pa kushte deri para pak muajsh.
Ndërkohë në Serbi, Partia Radikale Serbe, një parti politike ultranacionaliste e ekstremit të djathtë në Serbi, e themeluar në vitin 1991 nga lideri paraushtarak dhe i dënuari për krime lufte Vojisllav Sheshel, është ish-partia e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
SRS u themelua si bashkim i dy partive të vogla të krahut të djathtë, udhëheqësit e të cilave ishin Vojislav Sheshelj dhe Tomislav Nikoliç dhe gjatë gjysmës së parë të viteve 1990, mbështeti regjimin në pushtet të Partisë Socialiste të Serbisë, të Sllobodan Millosheviçit. Sheshelj udhëhoqi partinë që nga themelimi i saj në 1991 deri në ngritjen e aktakuzës kundër tij në 2003, vit kur u dorëzua në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Nënkryetari Tomislav Nikolic mori de facto udhëheqjen e partisë deri në ndarjen e saj në 2008.
Gjatë viteve të udhëheqjes së Nikoliçit, partia radikale u bë një parti nacionaliste e moderuar, por për shkak të mosmarrëveshjeve me Sheshelin, Nikoliç mori shumë nga anëtarët e rangut të lartë të partisë, përfshi Aleksandar Vuçiçin, për të formuar Partinë Progresive Serbe (SNS), e cila do të bëhej partia në pushtet në vitin 2012. Partia Radikale serbe pësoi një rënie drastike duke marrë vetëm 4% të votave në 2012 dhe 2% në 2014, hera e parë që nuk u përfaqësua në parlament.
Menjëherë pas kthimit të Sheshelit në Serbi në vitin 2014, partia radikale riktheu një pjesë të votuesve, duke u kthyer zyrtarisht në rrënjët e saj të ekstremit të djathtë dhe u rendit e treta me 8% të votave në zgjedhjet e 2016. Por në zgjedhjet e 2020-ës ra sërish, dhe përfundoi vetëm me 2% të votave duke mos marrë asnjë vend në parlament. Partia Radikale serbe mbështet krijimin e Serbisë të Madhe, është euroskeptike, rusofile dhe antiperëndimore.
Rrënjët e saj janë në Lëvizjen Çetnike Serbe të Vojislav Sheshelj dhe Partisë Radikale Kombëtare. Formimi i kësaj partie pasoi shkëputjen e Sheshelj nga Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe për shkak të grindjeve të brendshme me Vuk Drashkoviçin.
Shesheli promovoi idetë konspirative të një “komploti ndërkombëtar kundër serbëve”, më kryesorja e të cilave përfshinte Gjermaninë, Vatikanin, CIA-n, Italinë, Turqinë, si dhe partitë politike të qendrës serbe.
Teori të tilla konspirative u promovuan edhe nga mediat e kontrolluara nga Millosheviçi. Shesheli kërkonte dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në Shqipëri, të myslimanëve nga Sanxhaku dhe kroatëve nga Vojvodina. Në vitin 1998, Sheshel hyri me partinë e tij në të ashtuquajturën qeveri të “luftës” dhe si zëvendëskryeministër, miratoi ligje të reja për informacionin dhe ndihmoi në nisjen e ofensivave propagandistike kundër shqiptarëve. /abcnews.al/