Pas mbledhjes së 4,200 firmave nga anëtarë të Partisë Demokratike, lideri historik i demokratëve Sali Berisha deklaroi të mërkurën se do të rikthehet jo vetëm në krye të PD por edhe si kryeministër. Endri Xhafo pyeti në “Log” të ftuarit nëse këto deklarata tregojnë se ish-kryeministri betejën nuk po e bën për t’i rikthyer sovranitetin partisë por për interesat e tij personale.
Për Astrit Patozin ky nuk është rasti. Sipas tij, Berisha është i detyruar që ta mbajë lart “stekën e patetizmit.”
“Berisha është i detyruar që ta mbajë lart stekën e patetizmit të cilin e ka pjesë të stilit të vet të të bërit politikë. Është në pikë të hallit në karrierën e tij politike. Është i detyruar që të mbajë një lloj entuziazmi për mbështetësit e tij që mendohet se janë më të shumtë në numër se ata që ka Basha.”
Megjithatë, Patozi shton se për t’u bërë kryeministër, Berisha duhet të kalojë fillimisht atë që ai e quajti barrikadë të parë, pra Lulzim Bashën.
“Është shumë e vështirë të mundësh Bashën. Është përbindëshi që ka krijuar dhe ushqyer vetë Berisha. Kam bindje absolute që Berisha e ka betejë personale, po mos ta kishte, s’është e detyrueshme të merrte PD-në.”
Kurse, për Paskal Milon shpallja e pretendimit për t’u bërë kryeministër dhe kryetar partie është lëvizje taktike e ish-kryeministrit.
“Lëvizje taktike të Berishës për të forcuar lëvizjen në këtë moment. Për të fituar një mbështetje më të madhe brenda vetë PD, që të realizojë objektivin që i ka bërë vetes në kongres.”
Sipas tij, Berisha nuk e ka ndërmend që të kthehet si kryetari real i demokratëve.
“Mosha bën të vetën. E dyta PD tani për 8 vite qëndroi në opozitë dhe do që Berisha të ringjallë besimin brenda elektoratit për një lidership të aftë dhe të fortë.” /abcnews.al/