Projektohen lëvizje në aksin LaLiga-Premier League. Manchester United po bisedon prej kohësh me Real Madrid në lidhje me Raphaël Varane. Mbrojtësi francez dëshiron transferimin në “Old Trafford” dhe trajneri Solskjaer e sheh si përforcimin perfekt për qendrën e mbrojtjes, aty ku do të formonte një dyshe me Maguire.
Akordi final është afër dhe vetëm disi milion euro ndajnë dy klubet. Ndërkohë, në Angli theksojnë se Real Madrid ka një tjetër plan. “Los Blancos” kanë vendosur të nxjerrin në merkato Vinicius Junior. Sulmuesi brazilian pëlqehet shumë nga “Djajtë e Kuq”.
Presidenti Perez, i cili kërkon të përfitojë 70 milion euro nga kartoni i 21-vjeçarit, i propozon anglezëve ta marrin në huazim me të drejtë blerje. United e cilëson të lartë shumën e kërkuar, por negociatat vazhdojnë.
Reali nuk heq dorë nga ëndrra Kylian Mbappe dhe po tenton të reduktojë kontingjentin e lojtarëve të Ancelottit, për të përfituar sa më shumë ekonomikisht nga këto largime. Bisedime edhe mes Barcelonës dhe Liverpool.
Në mes është Philippe Coutinho, i cili nuk bën pjesë në planet e Roland Koeman. Lojtari brazilian kërkon një aventurë të re dhe “The Reds”, aty ku shkëlqeu dhe zhvilloi sezonet më të bukura në karrierë, janë gati t’i japin një shans të dytë 29-vjeçarit. /abcnews.al