Ishte padyshim një nga lëvizjet më të papritura të kësaj merkatoje vere, me “Kuqeblutë” e Vllaznisë, që kanë arritur të zyrtarizojnë marrëveshjen me ish-futbollistin e Tiranës, Ardit Deliu, i cili në dy sezonet e fundit ka spikatur në radhët e kryeqytetasve.
Ashtu si në rastet e mëparshme, Vllaznia e ka prezantuar Deliun nëpërmjet një videoje të regjistruar në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, teksa me mbërritjen e 26-vjeçarit në Shkodër, pritet të formalizohet divorci me Lorik Boshnjakun, të cilit i ka përfunduar kontrata me “Kuqeblutë”.
Deliu fillimisht ka spikatur te Laçi, për të mbërritur te Tirana në verë të vitit 2022, kur “Bardheblutë” sapo ishin shpallur kampionë të Superiores, teksa te këta të fundit “fantazisti” i mesfushë arriti të fitojë Superkupën e Shqipërisë. /i.m /abcnews.al