Kreu i laburistëve në Britaninë e Madhe, Xheremi Korbin ka bërë një ndryshim tërësor sa i takon daljes nga BE-ja, duke mbështetur mbajtjen e një referendumi të dytë. Gjithashtu, Korbin ka deklaruar se do të bëjë fushatë për qëndrimin në BE nëse marrëveshja e divorcit nuk do të mbrojë interesat britanike.
Lideri i opozitës britanike, Xheremi Korbin ka bërë një lëvizje të papritur lidhur me Breksit, duke u shprehur në favor të një referendumi të dytë. Madje, Korbin është zotuar se do të mbështesë opsionin e qëndrimit në BE nëse qeveria e ardhshme do të dorëzohet para idesë për një votim të ri popullor.
Korbin ka deklaruar se do të dalë kundër çdo hipoteze për një dalje pa marrëveshje, si dhe kundër çdo marrëveshjeje të dëmshme që konservatorët mund të arrijnë për të lënë BE-në. Vendimi i kreut të laburistëve, i shtyrë disa herë, është ratifikuar të martën nga qeveria hije dhe njoftuar në një letër të hapur.
Në letrën në fjalë, Korbin i bën thirrje Boris Xhonson dhe Xheremi Hant, njëri prej të cilëve do të pasojë kryeministren e dorëhequr Theresa Mej, që ta pranojnë votën popullore mbi ndarjen nga Brukseli.
“Kushdo që të bëhet kryeministër duhet të ketë besimin për t’u kthyer tek populli dhe t’i nënshtrojë votimit publik marrëveshjen, apo daljen pa marrëveshje”, ka thënë Korbin.
Ai ka shtuar se laburistët do të bëjnë fushatë për të qëndruar në BE ndaj çdo marrëveshjeje që nuk mbron ekonominë britanike dhe vendet e punës të qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar./ABC News Albania 24/7