Lëvizja Pesë Yjet merr kryesinë e Parlamentit italian

schedule15:28 - 24 Mars, 2018

schedule 15:28 - 24 Mars, 2018

Italia ka një kryetar të ri Parlamenti, Roberto Fico, i Lëvizjes Pesë Yjet, ndërsa senati do të drejtohet nga Elizabeta Kaselati e Forza Italia. Por partitë politike në vend nxituan të komentojnë se kjo nuk nënkupton se do të ketë një kombinim të tillë dhe për qeverinë e re.

Roberto Fico, i Lëvizjes Pesë Yjet, është kryetari i ri i Dhomës së Deputetëve në Itali pasi mori 422 vota pro në bazë të marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes dhe qendrës së djathtë. Ndërsa në krye të Senatit do të jetë një grua, Maria Elizabetta Kasellati, emër i propozuar nga Silvio Berlusconi për qendrën e djathtë dhe që u mbështet nga Lëvizja Pesë Yjet në raundin e katër të votimit, duke i dhënë 420 vota pro. Kasellati në këtë mënyrë ëshët gruaja e parë që drejton senatin në Itali

Në deklaratën e tij të parë për media, kryetari i ri i Parlamentit Fico u shpreh se vendimet përfundimtare duhet të jenë të pjekura dhe se ai nuk do të bëjë asnjë lloj lëshimi në debatet parlamentare. Ndër të tjera ai premtoi se një nga objektivat kryesorë mbetej shkurtimi i shpenzimeve të politikës.

Ndërsa nga ana e saj, Kasellati falenderoi Presidentin e Republikës Italiane, i cili, sipas saj, është simboli i unitetit. Maria Elisabetta Alberti Casellati në Senat dhe Roberto Fico në Dhomën e Deputetëve janë rezultat i një mbërmjeje të gjatë debatesh në negociatat mes qendrës së djathtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet. Negociata që sipas të pranishmëve kanë qenë me tone të larta. Por të dyja palët kanë theksuar se kjo marrëveshje nuk nënkuton se do të ketë një të ngjashme dhe për krijimin e qeverisë së re./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!