Te Milani priten të tjera lëvizje dhe po punohet në lidhje me largimin e Susos. Spanjolli është bindur që të provojë një aventurë të re. Hapësirat te kuqezinjtë po zvogëlohen dhe skema 4-4-2 ia vështirëson edhe më shumë.
Calciomercato raporton se 26-vjeçari ka pasur një takim me drejtuesit e Milanit dhe e ardhmja pritet të jetë Roma. Edhe Sevilla interesohet, por dëmtimi i Zaniolos shtyn verdhekuqtë të nxitojnë për t’i dhuruar trajneri Fonseca zëvendësuesin.
Ky i fundit nuk ka qenë shumë i bindur për Suson, por drejtori sportiv ia ka mbushur mendjen që spanjolli është përforcimi ideal. Maldini dhe Boban do të tentojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e Susos.
Anësori ofensiv vlerësohej 30 milionë euro në verë, e sigurt se në këto momente vlen shumë më pak se kjo shifër, teksa nuk përjashtohet që Roma të ofrojë ndonjë lojtar në shkëmbim. /abcnews.al