Turku Selami Simsek, ka kërkuar azil politik në Shqipëri. Abc News ka siguruar kërkesën e firmosur prej tij, ku Simsek shprehet se në Turqi i rrezikohet jeta, pasi shteti i tij e quan gylenist.
“Këtë kërkesë e paraqes pranë zyrës së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, që të fillojë procedura në emrin tim sa më shpejt të jetë e mundur, për azil. Këtë kërkesë e paraqes për shkak se në Turqi, shteti mendon që unë jam anëtar i Lëvizjes Gulen, dhe mendoj se atje mund t’i nënshtrohem veprimeve keqtrajtuese”, shkruan Simsek në dokumentin e siguruar nga gazetarja Glidona Daci.
Kërkesa është bërë më datë 8 janar 2020 e shkruar me shkrim dore në shqip dhe turqisht. Ai e ka shkruar këtë leter të qelitë e burgut 302, ku ndodhet i ndaluar për akuzën e falsifikimit të vizave. Ai shprehet se në vendin e tij, Turqi i rrezikohet jeta pasi e konsiderojnë gylenist. Kjo kërkesë është depozituar në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, e cila pritet të marrë një vendim.
Sakaq, më 27 janar Simsek del para gjykatës ku do të lexohet pretenca e prokurorisë ndaj tij për akuzën falsifikimit të dokumenteve. Ai e ka pranuar këtë akuzë dhe do të bëhet gjykim i shkurtuar.
Kujtojmë se më 1 Janar 2020, policia shqiptare deportoi me urgjencë drejt Turqisë, mësuesin Harun Celik, shokun e Selami Simsek. Sapo përfundoi dënimin Celik ai u dëbua me urgjencë duke mos i lënë asnjë ditë kohë për të kërkuar azil politik në vendin tonë. /abcnews.al