Letra e Autoritetit të Dosjeve, Doda pas takimit me Nikollën: Duhet një ligj për t’u ndarë nga e kaluara

schedule12:45 - 27 Korrik, 2022

schedule 12:45 - 27 Korrik, 2022

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla thirri sot në një mbledhje krerët e grupeve parlamentare për kërkesën e Autoritetit të Dosjeve se një zyrtar i lartë rezulton bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e grupit parlamentar për Demokraci dhe Integrim Mesila Doda, pas takimit me kryeparlamentaren u shpreh se duhet një ligj për ndarje përfundimtare nga e kaluara. Doda thekson se Nikollës i sugjeroi që të kërkojë nga Autoriteti i Dosjeve pastërtitë e figurës për 140 deputetët.

Mbi iniciativën e ardhur nga Autoriteti i Dosjeve, kishim përpara një material me përmbajtje sensitive. Kjo më shtyn të rikthej në memorien tuaj që unë dhe vetë Idrizi kemi propozuar më parë me studentët për hapjen e dosjeve. Është një gjellë e cila nuk mund të kapërdihet. Por lojërat politike kanë bërë që të ketë një paqartësi lidhur me këtë pjesë. Ajo që kërkova nga Nikolla, është të kërkojë nga autoriteti i dosjeve pastërtitë e figurës për 140 deputetët. Nëse pas 32 vitesh ende kemi mes nesh kemi persona me të kaluar të errët në dosjet e sigurimit të shtetit, do të thotë se kemi dështuar si shtet.

Emrat duhen bërë publikë jo të vendosen inicialet aty. Unë u njoha vetëm me inicialet, për pjesën tjetër do duhet që të kemi mundësinë që të ketë një ligj të mirë. Unë nuk ju them dot përmbajtjen e dokumentit, por duhet të bëjmë një ligj të fortë që të na ndajë nga ajo periudhë”, tha ajo.

Në letrën e siguruar nga ABC, “Dosjet” kanë konfirmuar se ish-presidenti Ilir Meta rezulton si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Kryetarja e Kuvendit u takua gjithashtu me krerët e grupeve, Taulant Balla, Enkelejd Alibeaj dhe Fatmir Mediu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!