Shtatë vende i janë drejtuar me një letër Bashkimit Evropian duke kërkuar integrimin sa më të shpejtë në union të Ballkanit Perëndimor. Letra që i drejtohet krerëve të institucioneve të unionit, mban firmën e ministrave të Jashtëm të Italisë, Çekisë, Austrisë, Kroacisë, Sllokavisë, Sllovenisë dhe Greqisë.
Lidhur me këtë letër ka folur në një lidhje me Skype për “Tirana Live”, ekspertja e integrimit, Nirvana Deliu, e cila e konsideroi letrën me rëndësi strategjike.
Sakaq, ajo theksoi se në këtë mënyrë shtohet interesi, por dhe duhet të përshpejtohet procesi i integrimit, pasi nga viti 2020 ka pasur një ngecje për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Është një progres dhe një zhvillim pozitiv në kuadër të të gjithë samitit që u mbajt dje, pikërisht për planin e rritjes dhe mbështetjes që BE ofron për Ballkanin Perëndimor në vlerën 6 miliardë euro. Interesante është që po të shohim se kush e ka firmosur këtë letër dhe po të shohim janë vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, vende që kanë një afërsi gjeografike, por me një pjesë prej tyre ndajmë dhe një të shkuar të përbashkët siç ka qenë dhe periudha e regjimit komunist. Interesante është që Italia është një prej këtyre vendeve, një vend që ka qenë gjithmonë mbështetës për vendet e Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara në kuadër të procesit të integrimit europian, por nuk duhen harruar dhe vende si Kroacia apo Sllovenia dhe vetëm kohët e fundit cilësohen si vende të Ballkanit, por kanë qene gjithmonë pjesë të rajonit. Greqia nga ana tjetër është një lajm pozitiv, pasi shikojmë që ky vend ka qenë problematik ky vend jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Maqedoninë e Veriut.
Ajo që ne mund të kuptojmë nga letra është që këta 7 ministra dhe këto shtete kanë theksuar vlerën dhe rëndësinë strategjike që ka gjithë rajoni perëndimor i Ballkanit për BE, pikërisht që të shtohet interesi, por dhe të përshpejtohet procesi i integrimit, pasi nga viti 2020 kemi vënë re që ka pasur një ngecje për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor“, u shpreh Deliu./abcnews.al