Letra e 6 publike, Bardhi i përgjigjet Ramës

schedule16:16 - 27 Maj, 2019

schedule 16:16 - 27 Maj, 2019

Kryeministri Edi Rama i nisi këtë të hënë një letër të gjashtë publike kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, ku e ftonte të uleshin në dialog përpara se të digjeshin të gjitha afatet.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili i konsideroi letrat e Ramës si hipokrite dhe hilecake.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan se Rama me anë të letrave veçse nxit dhunë dhe provokon qytetarët. Më tej, Bardhi thekson se kryeministri është i pafuqishëm të ndalë triumfin e shqiptarëve të bashkuar.

Postimi i plotë:

Këto ditë kam lexuar me qindra komente për letrat hipokrite dhe hilecake të Edi Ramës, por efektin e vërtetë të tyre e kuptova gjatë protestës se fundit.

Në momentin kur përpiqesha të ndaloja qytetarë të zemëruar tek Parlamenti, njëri prej tyre, rreth 50 vjeç, i revoltuar nga ndërhyrja ime, më tha: “Pse ma heq të drejtën të marr hak? Edi Rama me ka lënë fëmijët pa bukë. Tani tallet me mua me ato letrat në Facebook”.

Episodi i babait që lufton për mbijetesë në regjimin e panjerëzishëm të Edi Ramës, m’u kujtua tani, kur lexova letrën e gjashtë (shpresoj të fundit), në të cilën ai vazhdonte të tallej, të fyente dhe të provokonte me mijëra e mijëra protestues.

Duke injoruar shkaqet reale te krizës dhe problemet reale të qytetarëve, duke i fyer ata sa herë që ka mundësi, duke mos patur ndjeshmërinë më të vogël për mijëra prindër që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët, duke u hakmarrë politikisht dhe duke dërguar tatimet në bizneset e qytetarëve që dalin në protestë, duke mos hequr dorë nga kërcënimi për prishjen e shtëpive që pengojnë planet e tij korruptive, Edi Rama nuk bën asgjë tjetër me letrat e tij, veçse nxit dhunë dhe provokon qytetarët që u ka shkuar thika e pushtetit të tij në palcë.

Në vend që të shkruajë letra luftënxitëse, që me hipokrizi i quan “ftesa për dialog”, Edi Rama bën mirë të kuptojë se ai është i pafuqishëm të ndalë triumfin e shqiptarëve të bashkuar.

Kauza jonë për zgjedhje të lira e të ndershme, për të ndërtuar Shqipërinë si gjithë Europa, është kauza më e drejtë për të cilën shqiptarët kanë luftuar këto 29 vite, që pas rrëzimit të diktaturës. Vetem një qeveri e dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, është garanci për mireqenie, punësim dhe zhvillim për qytetarët shqiptarë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!