Në bankë, te noteri, për tu regjistruar në universitet, për të marrë një shërbim shëndetësore apo kudo ku nevojitet karta e identitetit së shpejti nuk do tju duhet ta paraqisni fizikisht.
Shërbime publike apo private mund ti merrni edhe përmes letërnjoftimit digjital. Qeveria ka dërguar në Kuvend draftin ku parashikohen ndryshimet ligjore.
“Miratimi i këtij projektligji do të përmbushë objektivat e qeverisë në drejtim të identitetit digjital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe duke implementuar një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin e bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset
evropiane.”
Nisma ka kosto rreth 5 miliardë lekë dhe parashikohet në realizohet në tre faza. Vitin e parë do të ndërtohet infrastruktura për projektin. Të dytin rreth 360 mijë shqiptarë synohet të pajisen me letërnjoftim digjital dhe vitin e tretë parashikohet që dokumentin ta kenë gjysma e qytetarëve.
Lehtësi në marrjen e shërbimeve, mbrojtja e të dhënave personale dhe lufta ndaj krimit të organizuar janë synimet e këtij projektligji sipas relacionit që e shoqëron.
“Një identitet digjital i përbashkët mund të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet, duke rritur sigurinë e besueshmërinë e transaksioneve on-line. Kjo do të kontribuojë në modernizimin e administratës publike dhe do të lehtësojë aksesin e qytetarëve në shërbime digjitale. Kjo ndërhyrje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të vendit, duke përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e duke rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.”
Në çdo rast qytetarët mund të zgjedhin për t’u pajisur me një nga format e letërnjoftimit ose mund të pajisen njëkohësisht me letërnjoftimin elektronik dhe digjital.
Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i kompanisë pajisjes me karta dhe pasaporta IdentiTek ose nga shoqëri të tjera të cilat kanë kapacitete teknike e financiare.
Identiteti digjital u prezantua nga Komisioni Europian në qershor të vitit 2021./abcnews.al