Franco Lerda, trajner i Partizanit, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen derbi me Tiranën. Italiani i është përgjigjur interesimit të gazetarëve, të cilët e kanë pyetur për sfidën dhe shumë çështje të tjera që lidhen me klubin dhe këtë përballje të rëndësishme, që për herë të parë do të luhet në “Air Albania Stadium”.
“Gjashtë vite pa humbje? Të gjitha ndeshjet derbi janë të rëndësishme dhe duhet bërë paraqitje e mire. Ka gjithë këto vite që marrim rezultate pozitive dhe ne do mundohemi ta ruajmë vazhdimësinë. Do ishte mjaft mirë për ne. Jemi përgatitur mirë për ta kaluar me sukses këtë ndeshje”.
“Impenjimi? Besoj se kur luan një derbi, nuk ka favorit. Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm në sfida të tilla”, shtoi trajneri italian, i cili më pas foli edhe për mungesat e Partizanit në ndeshjen me Tiranën.
“Kemi një grup të plotë. E kemi menduar ndeshjen me ata që kemi, jo me ata që nuk kemi. Edhe herë të tjera kemi pasur mungesa të rëndësishme. Lojtarët që kemi janë të përgatitur për ta përballuar këtë ndeshje”.
“I mbyturi, të mbyt? Mendoj për skuadrën time, të përgatis mirë skuadrën time. Nuk mendoj se çfarë ndodh te skuadra tjetër. E respektojmë kundërshtarin, si gjithmonë. E thashë, aspekti psikologjik është i rëndësishëm në këtë ndeshje. Jemi të përqendruar te skuadra jonë”.
“Derbi, në momentin e duhur? Kemi analizuar ndeshjen me Bylisin. Kemi parë gjërat e mira dhe jo të mira. Kemi punuar dhe jemi përgatitur për ndeshjen e radhës. Dihet që Tirana është një ekip me vlera. Renditja nuk tregon vlerat e tyre. Për ne është e rëndësishme dhe një provë e vërtetë force”.
“Asani e Çinari? Keni parë stërvitjen dhe nuk i kam përfshirë. Nuk ka të sakrifikuar. Ne bëjmë shumë ndryshime në seanca. Telushi e Broja janë çështje të ndryshme, kanë kartonë. Mala është çështje tjetër. Ata që janë jashtë, vlejnë zero. Për mua vlejnë ata që kam në dispozicion. Ata nuk i llogaris fare për këtë takim”.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira, jo vetëm derbi. Kjo ndeshje me Tiranën duhet përgatitur më shumë psikologjikisht, pasi është takim i rëndësishëm dhe të gjithë e presin ta shohin. Luhet në stadium i ri? Uroj që të gjithë të argëtohen. Të gjithë do japin më të mirën që të kënaqen”.
“Nuk shoh TV e as nuk lexoj gazeta. Frika është një fjalë e shëmtuar, vetëm respekt. Kjo është një ndeshje që duhet të luajmë mirë në aspektin psikologjik. E rëndësishme është që të japim maksimumin. Në fushë vendoset gjithçka”.
“Derbi luhet, nuk fitohet? Sigurisht është e rëndësishme të fitohet. Në filozofinë time është marrja e rezultateve. Ka shumë pritshmëri. Skuadra duhet të japë më të mirën dhe të jetë perfekte në fushën e blertë. Tirana jashtë gare? Sigurisht që Tirana nuk i ka humbur shanset për titull. Shpresoj të ringrihet pas kësaj jave. Kanë një organikë të mirë dhe besoj se mund të paraqiten më mirë në vazhdim”.
“Është e vërtetë që një trajner i ri e mobilizon skuadrën. Është një vazhdimësi te Tirana, pasi e drejton Egbo që ka qenë prej vitesh pjesë e atij ekip si trajner portierësh. Tirana ka ekip të mirë, janë grup dhe kjo është pika më e fortë”, përfundoi Lerda, i cili pret nga skuadra e tij të vazhdojë të bëjë të njëjtën lojë edhe në derbi. /abcnews.al