Lenjani shënon gol rekord në Zvicër

schedule19:30 - 8 Prill, 2019

schedule 19:30 - 8 Prill, 2019

Nga rekordi i Lenjanit tek ofendimet e Sadikut. Shqiptarët ishin protagonistë këtë fundjavë në Superligën e Zvicrës.

Ermir Lenjani shënon golin më të shpejtë në histori, në Superligën e Zvicrës. Pret kthimin në kombëtare.

Nuk u desh të pritej shumë.

Ermir Lenjani realizoi për vetëm 10 sekonda në Zvicër, duke vendosur një rekord.

Në të vërtetë, ky ishte barazimi i rekordit të mëparshëm, arritur nga një tjetër lojtar i Sionit, Musa Konate në vitin 2015.

Në ndeshjen Sion-Lucern, që përfundoi 2-2, futbollisti shqiptar dha edhe asistin për golin e dytë të skuadrës së tij.

Po kaloj një formë shumë të mirë, më në fund kam lënë pas vështirësitë dhe po jap përsëri maksimumin”, deklaroi ai për kamerat pas ndeshjes.

Lenjani reagoi edhe në rrjetet sociale.

“Shumë i lumtur që jam futur në historinë e futbollit zviceran për golin më të shpejtë, falenderimi i takon Zotit!”, shkruajti ai në FB.

Lenjani shënoi dy gola në një ndeshje, pak ditë më parë, dhe shpreson të kthehet në kombëtaren shqiptare, tani që Kristian Panuçi është larguar.

Shqiptari i Kosovës kishte deklaruar publikisht se nuk do të pranonte ftesë sa kohë që në stol të ishte italiani.

Duke u kthyer në Zvicër, duhet thënë se ishte fundjava e shqiptarëve.

Armando Sadiku po ashtu u bë lajm, dhe jo vetëm sepse shënoi gol.

Menjëherë pasi kaloi në epërsi Luganon në fushën e Bazelit, sulmuesi i kombëtares shqiptare shpërtheu me të shara.

Besohet se e kishte me trajnerin e tij, i cili e kishte lënë në stol, dhe e aktivizoi vetëm në fillim të pjesës së dytë.

“I shava nga pak të gjithë, unë i tillë jam, isha i zemëruar me të gjithë, edhe me veten time, pasi pretendoj më shumë”, deklaroi Sadiku pas ndeshjes.

Trajneri Çelestini nuk e bëri dramë, duke deklaruar se:

“Nëse Sadiku zemërohet me mua dhe më shan, por ama shënon, atëherë jam shumë i lumtur”.

Lugano mori një pikë të rëndësishme në fushën e Bazelit, me barazimin 1-1, dhe shpreson mbijetesën në Superligën e Zvicrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!